Peshqit e ngordhur mbulojnë portin turistik grek

  • Reuters
    AFP

Ujërat e një lumi mbuluar nga peshq të ngordhur që duken si një mbulesë prej argjendi në Greqi.  

Autoritetet greke kanë filluar të mbledhin dhe largojnë qindra mijëra peshq të ngordhur, që u derdhën në një port turistik në qytetin Volos, këtë javë, pasi më parë ishin zhvendosur nga vendet e tyre të zakonshme ku jetonin, në ujërat e ëmbla, gjatë përmbytjeve që kanë ndodhur vitin e kaluar.

Peshqit e ngordhur krijuan një mbulesë argjendi në të gjithë portin dhe era e keqe alarmoi banorët dhe autoritetet që u përpoqën t'i kapnin para se era të arrinte restorantet dhe hotelet pranë.

"Ata [peshqit e ngordhur] shtrihen në një gjatësi prej kilometrash", tha për agjencinë Reuters, anëtari i këshillit të qytetit, Stelios Limnios.

"Nuk është vetëm përgjatë bregdetit, por edhe në qendër të Gjirit Pagasetik", tha ai, duke iu referuar zonës së portit të Volosit, një breg deti i mbushur me shtëpi pushimi.

Peshkatarët lëshuan rrjetat për t’i mbledhur peshqit që më pas u hodhën në rimorkio kamionësh.

Më shumë se 40 tonelata me peshq të ngordhur janë mbledhur vetëm gjatë 24 orëve të para, thanë autoritetet greke.

Kryetari i bashkisë së Volosit, Achilleas Beos, tha se era ishte e padurueshme.

Gjatë një konference për shtyp, më 28 gusht, ai fajësoi qeverinë greke që nuk u mor me problemin përpara se të arrinte në qytetin e tij.

Beos tha se peshqit e kalbur mund të krijojnë një katastrofë mjedisore për speciet e tjera në zonë.

Ekspertët thanë se problemi u shkaktua nga vërshimet historike që ndodhën vitin e kaluar, të cilat përmbytën rrafshin e Thesalisë në veri, duke përfshirë lumenj dhe liqene.

Pamje nga lart që tregon qindra mijëra peshq të ngordhur mbi ujë.

Në grykën e lumit nuk u vendos ndonjë rrjetë për të parandaluar kalimin e peshqve drejt ujërave të Volosit, thanë ekspertët. Kur peshqit ranë në kontakt me ujërat e detit, uji i kripur ka të ngjarë të ketë shkaktuar ngordhjen masive të peshqve.