Pesë të vrarë, 31 të plagosur nga sulmet ruse në lindje të Ukrainës

Një ndërtesë e dëmtuar nga sulmet ruse në Pokrovsk, Ukrainë, 7 gusht 2023.

Dy sulme ajrore ruse e kanë goditur qendrën e qytetit ukrainas, Pokrovsk, në lindje të Donjeckut të hënën, duke i vrarë pesë persona dhe duke i plagosur të paktën 31 të tjerë, njoftuan zyrtarët ukrainas.

Në sulmin e parë, i cili e kishte për cak pjesën ukrainase të një rajoni të okupuar pjesërisht nga Rusia, u vranë katër civilë, ndërsa në tjetrin mbeti i vdekur nënkryetari i degës rajonale të Shërbimit Emergjent Shtetëror të Ukrainës, tha ministri i Brendshëm i Ukrainës, Ihor Klymenko.

Të paktën 31 njerëz – përfshirë 19 policë, pesë shpëtimtarë dhe një fëmijë – u plagosën gjatë sulmeve, thanë zyrtarët.

Nga këto sulme u dëmtuan një hotel, ndërtesat e banimit dhe struktura të tjera civile, tha guvernatori i Donjeckut, Pavlo Kyrylenko.

SHIKONI EDHE: Tre të vdekur nga sulmet ajrore gjatë natës në Ukrainë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e akuzoi Rusinë në një komunikatë për media online se po përpiqet të mos lërë asgjë pos “gurë të copëtuar e djegur” në lindje të Ukrainës. Komentet e tij u shoqëruan nga pamje nga dëmtimi i një ndërtese pesëkatëshe banimi, e cila kishte një kat të rrënuar praktikisht.

Sulmi vdekjeprurës vjen vetëm një ditë pasi zyrtarët nga rreth 40 vende të botës u mblodhën në Arabinë Saudite për ta gjetur një zgjidhje paqësore për luftën në Ukrainë.

Ministria e Jashtme e Rusisë e dënoi të hënën këtë takim dyditor, duke e cilësuar si “pa kurrfarë vlere” për shkak se Moska – për dallim nga Kievi – nuk ishte e ftuar.

Ministria ruse i përsëriti komentet e kaluara se Moska është e hapur për një zgjidhje diplomatike sipas kushteve të saj, e cila do t’i jepte fund luftës 17-muajshe, dhe se është e gatshme të përgjigjet ndaj propozimeve serioze.

SHIKONI EDHE: Sistemet amerikane dhe gjermane “po japin rezultate” në Ukrainë

Kremlini kërkon që Kievi ta njohë aneksimin e katër rajoneve ukrainase nga Moska, të cilat tani për tani forcat ruse i kontrollojnë vetëm pjesërisht, si dhe Krimenë, të cilën Moska e uzurpoi në vitin 2014.

Por, Mykhailo Podolyak, këshilltari i Zelenskyt, i ka hedhur poshtë kërkesat e mëparshme të Moskës, të cilat do t’i jepnin kohë Rusisë për t’u futur edhe më thellë në pjesët e Ukrainës që i ka okupuar. Ai tha në X, rrjetin social që dikur njihej si Twitter, se forcat ruse duhet patjetër të tërhiqen plotësisht nga zonat e okupuara dhe se Kievi nuk do të bëjë kompromise për këtë.

Ndërkohë, Shërbimi Sekret i Ukrainës (SHSK) njoftoi të hënën se e ka arrestuar një informatore të dyshuar ruse, e cila kishte mbledhur informacione të inteligjencës për vizitën e presidentit të Ukrainës Zelensky në rajonin jugor, Mikolaiv, muajin e kaluar.

SHIKONI EDHE: Zelensky shpreson që në vjeshtë të mbahet samiti për paqe

“Kjo grua po mblidhte të dhëna për një sulm ajror gjatë vizitës së Zelenskyt”, sipas SHSK-së.

Zelensky ka qenë caku kryesor i Kremlinit qëkur Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022, kur ai nuk pranoi të largohej nga Kievi derisa forcat ruse po afroheshin.