Përshkallëzohet dhuna në Jerusalem

Palestinezët duke ikur pasi policia izraelite hedh gaz lotsjellës dhe granata tymuese në drejtim të tyre. Jerusalem, 10 maj, 2021.

Edhe të dielën mbrëma vazhduan përplasjet e palestinezëve me policinë izraelite. Sipas raporteve, palestinezët hodhën gurë ndaj forcave të sigurisë së Izraelit, të cilët qëlluan me gaz lotsjellës.

Dhuna ndodhi në kompleksin e xhamisë Al-Aksa, vendi i tretë më i shenjtë i myslimanëve.

Qindra palestinezë dhe më shumë se 20 oficerë policie izraelitë janë plagosur në përleshjet gjatë tri ditëve të fundit, sipas mjekëve dhe policisë.

Ekziston frika se dhuna mund të përshkallëzohet të hënën pasi është planifikuar mbajtja e një marshimi tradicional hebre në Jerusalem.

Marshi vjetor i Flamurit të Ditës së Jerusalemit zakonisht mbahet duke ecur nëpër zonat myslimane të Jerusalemit. Më këtë marsh shënohet kapja e Jerusalemit Lindor nga ana e Izraelit.

Kjo ngjarje konsiderohet nga shumë palestinezë si një provokim.

SHIKONI EDHE: SHBA-ja bën thirrje për qetësi pas përleshjeve në Jerusalem

Një ish-zyrtar i lartë i mbrojtjes izraelite, Amos Gilad, bëri thirrje që marshimi të anulohej ose të mbahet në pjesë tjera, duke paralajmëruar se mund të ketë shpërthim të dhunës.

Tensionet janë rritur për shkak të paralajmërimit për dëbimin e familjeve palestineze nga pjesë të rrethit Sheik Jarrah të Jerusalemit Lindor.

Të hënën pritej të zhvillohej një seancë gjyqësore lidhur me çështjen shumëvjeçare të familjeve palestineze. Më shumë se 70 njerëz po apelojnë kundër një urdhri dëbimi, që do t'i dëbojë ata nga shtëpitë e tyre në favor të kolonëve hebrenj.

Por, seanca u anulua të dielën me kërkesë të Prokurorit të Përgjithshëm të Izraelit. Një datë e re do të caktohet brenda 30 ditëve të ardhshme.

SHIKONI EDHE: Vendbanimet hebreje mund të vihen nën hetim ndërkombëtar 

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, i doli në mbrojtje veprimit të policisë kundër protestuesve palestinezë, duke thënë se qeveria e tij "nuk do të lejojë asnjë element radikal të prishë qetësinë" në qytet.

Jordania fqinje, që kujdeset për vendet të shenjta myslimane në Jerusalemin Lindor, ka dënuar veprimet e forcave izraelite të sigurisë.

Negociatorët për Lindjen e Mesme – Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Rusia dhe Kombet e Bashkuara – gjithashtu kanë shprehur shqetësim për dhunën duke u kërkuar të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të diskutojë për situatën në Jerusalemin Lindor të hënën.

Fati i Jerusalemit Lindor qëndron në zemër të konfliktit izraelito-palestinez, pasi të dyja palët pretendojnë të drejtën për të. Izraeli aneksoi Jerusalemin Lindor në vitin 1980, dhe e konsideron të gjithë qytetin kryeqytetin e tij, por kjo lëvizje nuk njihet nga shumica dërrmuese e komunitetit ndërkombëtar.

Palestinezët pretendojnë Jerusalemin Lindor si kryeqytetin e ardhshëm të një shteti të pavarur.

Përgatiti: Kestrin Kumnova