Pasojat e aksidentit hekurudhor në Çeki
Punonjësit e shpëtimit në vendin ku ndodhi përplasja e një treni udhëtarësh me një tren mallrash në qytetin Pardubice, më 5 qershor.
Katër persona kanë humbur jetën dhe të paktën 20 të tjerë kanë pësuar lëndime të lehta në përplasjen, e cila ndodhi pas orës 23:00, përgjatë korridorit kryesor hekurudhor të vendit nga Praga në lindje, tha ministri i Brendshëm, Vit Rakushan.
Më shumë se 300 udhëtarë ishin në tren kur ai u përplas me trenin e mallrave.
Televizioni çek raportoi se shumë nga udhëtarët ishin shtetas të huaj. Treni Pragë-Przemysl është një linjë e përdorur rregullisht nga ukrainasit që udhëtojnë midis Republikës Çeke dhe Ukrainës.
Treni i udhëtarëve me shpejtësi të lartë i përket kompanisë private, RegioJet.
Ministri i Transportit, Martin Kupka, i cili udhëtoi me ministrin e Brendshëm në vendin e përplasjes së trenave, tha në një konferencë televizive se kanë nisur hetimet lidhur me aksidentin dhe se ishte shumë herët për të folur për shkakun e tij.
Korridori në Pardubice, ku ndodhi përplasja e trenave, është jetik për Hekurudhën Çeke.
Drejtuesit e të dy lokomotivave mbijetuan, raportoi agjencia lokale e lajmeve CTK.
Kryeministri çek, Petr Fiala, e quajti aksidentin një tragjedi të madhe dhe u shprehu ngushëllime familjeve të viktimave.