Në Mal të Zi duhet të formohen autoritetet, në mënyrë që vendi të marrë një vendim të harmonizuar me NATO-n, anëtare e së cilës është, thotë admirali në pension dhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Malit të Zi, Dragan Samarxhiq.
Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, ai ka theksuar se kjo nënkupton domosdonë që kriza aktuale politike në vend të zgjidhet apo që Qeveria e re të formohet sa më parë, të zgjidhet kryetari i Parlamentit dhe që institucionet të vihen në funksion.
Këshilli i Mbrojtjes dhe Sigurisë, organ ky shtetëror që komandon me Ushtrinë e Malit të Zi, më 2 mars, nuk mori vendim për të bërë ndryshimin e gjendjes së një njësie ushtarësh malazezë të stacionuar në Letoni, si pjesë e një force të NATO-s , nga sistemi stërvitor në një regjim gatishmërie dhe mbështetjeje.
Meqenëse vendimet e Këshillit prej tre anëtarësh merren unanimisht, puna e tij u bllokua që në fillim nga largimi i Strahinja Bullajiqit, kryesues i Parlamentit të Malit të Zi, një zyrtar i Frontit Demokratik pro-serb, i cili është një kundërshtar i hapur i NATO-s dhe një mbështetës i politikës së Rusisë zyrtare.
SHIKONI EDHE: Shkarkohet kryetari i Kuvendit të Malit të ZiPërveç kryetarit të Parlamentit, anëtarë të Këshillit janë edhe presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, dhe kryeministri i Qeverisë, Zdravko Krivokapiq, të cilit iu votua mosbesimi.
Duke u larguar, Bullajiq bllokoi punën e Këshillit, me arsyetimin se “ai është kundër dërgimit të ushtarëve malazezë jashtë kufijve të Malit të Zi në çfarëdo aksioni ushtarak sulmues”.
Ministria e Mbrojtjes e Malit të Zi i ka demantuar deklaratat e Bullajiqit, duke thënë se asnjëherë nuk është propozuar dërgimi i ushtarëve malazezë në zonat e krizës, madje as në Ukrainë dhe se këto të dhëna janë absolutisht të pavërteta.
Për çfarë duhej të bisedohej?
Këshilli duhej të shqyrtonte propozimet e Ministrisë së Mbrojtjes në lidhje me dërgimin e njësive të Ushtrisë së Malit të Zi në forcat e Aleancës Veri-atlantike, me qëllim për t’iu përgjigjur krizave.
Për pjesëmarrjen e mundshme të pjesëtarëve të Ushtrisë së Malit të Zi në misione jashtë vendit, miratimi duhet të jepet nga Parlamenti i Malit të Zi, me propozimin e Këshillit.
SHIKONI EDHE: Pse prania e NATO-s shihet si e domosdoshme në Ballkan?Komenti nga NATO-ja
Ndaj pyetjeve se si e komentojnë dështimin e mbajtjes së një seance të Këshillit të Mbrojtjes dhe Sigurisë dhe pse Mali i Zi nuk iu përgjigj kërkesave të Aleancës, shërbimi për media i NATO-s në Bruksel nuk ka dhënë përgjigje por ka sugjeruar që për këtë t’iu drejtuar autoriteteve malazeze “për çfarëdo komenti lidhur me pyetjet konkrete të parashtruara”.
Në përgjigjen për Radion Evropa e Lirë, Aleanca theksoi që ajo jep kontribut të rëndësishëm për sigurinë e përbashkët.
“Mali i Zi gjithmonë mund të llogarisë në NATO. Misioni ynë i policisë ajrore vazhdon ta ruajë si të sigurt hapësirën ajrore të Malit të Zi, me aeroplanë nga Italia dhe Greqia. NATO-ja dhe aleatët, gjithashtu, kanë treguar solidaritet dhe mbështetje të fuqishme për Malin e Zi gjatë pandemisë, duke përfshirë sigurimin e pajisjeve, furnizimeve mjekësore, mbështetjes financiare dhe furnizimeve tjera”, tha NATO.
Në Mal të Zi, Qeveria është në mandat teknik që nga fillimi i shkurtit, për shkak se i është votuar mosbesimi në Parlament. Po ashtu, Parlamenti ka mbetur pa kryetar, i cili u shkarkua nga detyra dhe në vend të tij, deri në zgjedhjen e një tjetri, është Strahinja Bullajiq nga Fronti Demokratik, të cilit, sipas funksionit të përkohshëm, i takon pozita edhe në Këshillin e Mbrojtjes dhe Sigurisë.
SHIKONI EDHE: Abazoviq, mandatar i Qeverisë së re në Mal të ZiAleanca po e mbikëqyr situatën në Mal të Zi
Duke shpjeguar nevojën që ushtarët malazezë në Letoni të jenë në gatishmëri, admirali Dragan Samarxhiq thotë se NATO-ja duhet të marrë masa parandaluese, pas agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.
“Me qëllim të mbrojtjes së miliona njerëzve të vendeve të Aleancës. Kjo edhe ka qenë arsyeja pse u miratua një masë për forcimin e krahut lindor të NATO-s, por është theksuar se masat janë ekskluzivisht parandaluese dhe se NATO nuk dëshiron të kontribuojë në përshkallëzimin e krizës”, thotë Samarxhiq.
Bllokadën aktuale të Këshillit, si organ që komandon ushtrinë, ai e konsideron të pakuptimtë.
“Shpjegimi se Këshilli nuk mund të funksionojë, paraqet shmangie nga detyrimet. Nëse dikush sulmon Malin e Zi sot, a do të thotë kjo se ne nuk kemi mundësi të marrim ndonjë vendim për të angazhuar ushtrinë dhe se vetëm do ta ngrehim flamurin e bardhë?”.
SHIKONI EDHE: Tre skenarë të pritshëm në Mal të ZiSamarxhiq, i cili ishte përfaqësues zyrtar i Malit të Zi në NATO, deri në janar të këtij viti, thotë se Aleanca mbikëqyr se çfarë po ndodh në Mal të Zi.
“Mendoj se anëtarët e misionit tonë në NATO dhe presidenti i Malit të Zi na informuan për situatën, në të cilën ndodhemi dhe se NATO po i përcjell të gjitha ngjarjet në Mal të Zi, si dhe që ata e dinë se një krizë politike është në zhvillim e sipër”, thekson Samarxhiq.
Aleksandar Radiq, analist ushtarako-politik nga Beogradi, shpjegon se NATO-ja synon të fuqizojë forcat e saj drejt Rusisë, veçanërisht në shtetet baltike, ku Mali i Zi ka një njësi në Letoni.
Implikimet në Bruksel
Duke komentuar faktin se konflikti politik në Mal të Zi është bartur në vendimmarrjen lidhur me NATO-n, Radiq thotë se mekanizmat e brendshëm politikë janë shumë të rëndësishëm, sepse NATO është një organizatë e bazuar në vendimet sovrane të anëtarëve për forcat e tyre ushtarake.
“Pavarësisht nga detyrimet në NATO-s, asnjë vendim nuk mund të zbatohet pa një konsensus politik për mekanizmat, të cilët ndryshojnë nga vendi në vend. Kjo është një pikë e dobët e NATO-s, sepse askush nuk mund të urdhërojë një njësi malazeze të shkojë askund, nëse procedura e përcaktuar në nivel kombëtar nuk është kryer”.
SHIKONI EDHE: Ballkani, shembull i suksesit të politikës së dyerve të hapura të NATO-sDuke iu përgjigjur pyetjes se a do të bëhet Mali i Zi partner jo i besueshëm i NATO-s, për shkak të mosmarrjes së vendimeve me kohë, Radiq beson se në këtë rast nuk do të ketë pasoja të veçanta.
NATO-ja nuk do të jetë e lumtur, por nuk pres ndonjë pasojë më radikale. Malit të Zi i kërkohet të bëjë atë që duhet bërë dhe çfarë është rënë dakord, por askush nuk mund ta detyrojë Malin e Zi. Mund të shfaqet pakënaqësi në organizatë, por Mali i Zi nuk do të përjashtohet nga NATO për shkak të kësaj. Rruga për të dalë nga situata në të cilën ndodhet tani mekanizmi vendimmarrës në Mal të Zi, natyrshëm është politik dhe zgjidhet në nivelin e politikës ditore”, tha Radiq, duke shtuar se Mali i Zi ka dy kompani këmbësorie të deklaruara për operacionet e NATO-s.
Vendimet e Këshillit, për përdorim të brendshëm politik
Por, ndonëse seanca e Këshillit praktikisht nuk u mbajt, ajo u përdor për akuza të ndërsjella.
Udhëheqësi i Frontit Demokratik, Andria Mandiq, përshëndeti largimin e Bullajiqit nga takimi, duke e uruar atë për “rezistencën ndaj presionit të Millo Gjukanoviqit dhe devijimeve të anëtarëve të qQeverisë së shkarkuar të Zdravko Krivokapiqit” për të dërguar ushtarët malazezë “jashtë kufijve të atdheut”.
Bullajiqi shkoi një hap më tej, duke vlerësuar se kjo ishte një përpjekje për të vendosur shpejt e shpejt për angazhimin e ushtarëve malazezë, pa qëndrimin e Kuvendit, i cili, siç theksoi ai, “përfaqëson një lloj grushti shteti zvarritës”.
Kryeministri Krivokapiq ka reaguar duke pyetur se si Bullajiqi e ka penguar dërgimin e ushtarëve malazezë në Ukrainë, kur kjo ishte pika e rendit të ditës që po diskutohej. Ai i bëri thirrje DF-së të deklarojë nëse është ende në favor të anëtarësimit të Malit të Zi në BE.
Presidenti Gjukanoviq akuzoi kryeministrin Krivokapiq se po i interpreton rregulloret në mënyrë politike tendencioze dhe për këtë shkak po krijohet “përshtypja për një bllokade institucionale dhe për paaftësi të shtetit për të përmbushur detyrimet e tij ndërkombëtare”.
Ai hodhi poshtë pretendimet se Këshilli duhej të vendoste për dërgimin e ushtarëve malazezë në Ukrainë, siç kanë raportuan disa media të afërta me Frontin Demokratik.
Roli i Malit të Zi në NATO
Trupat malazeze janë pjesë e grupit luftarak shumëkombësh të NATO-s në Letoni dhe misionit paqeruajtës të KFOR-it në Kosovë, me mandat nga OKB-ja.
Mali i Zi u bë anëtar i NATO-s në vitin 2017, gjatë kohës kur në pushtet ishte Partia Demokratike e Socialistëve të presidentit Millo Gjukanoviq.
Tre vjet më vonë në zgjedhjet, në gusht të vitit 2020, Fronti Demokratik pro-serb dhe pro-rus, Demokratët dhe Lëvizja Qytetare URA, fituan pushtetin. Qeverisë së zgjedhur të Zdravko Krivokapiqit, pas një viti e gjysmë, iu votua mosbesimi, ndërkaq partitë fituese të zgjedhjeve hynë në konflikte politike me njëra-tjetrën për mënyrën se si të dilet nga kriza.
Përgatiti: Bekim Bislimi