Normat e lejuara evropiane për cilësi të ajrit vlerësohen në 50 mikronë. Ndërkohë që matjet e bëra në Kosovë për cilësinë e ajrit, i tejkalojnë shumëfish këto vlera, sidomos në sezonin e dimrit.
Ditët e fundit, matjet kanë treguar se mikronët kanë arritur në 350, vetëm në qytetin e Prishtinës.
Kështu thotë Ilir Morina, shef ekzekutiv i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, sipas të cilit, matjet e cilësisë së ajrit në vend bëhen në baza ditore.
“Ne marrim raporte ditore për cilësinë e ajrit në Kosovë nga 8 stacione online, të cilat matin cilësinë e ajrit në Prishtinë, Obiliq, Drenas, Mitrovicë, Prizren, Han të Elezit dhe Gjilan. Gjendja këtë vit krahasuar me vitin e kaluar ka qenë shumë më e mirë, por ka pasur net kur e ka kaluar normën e lejuar dy deri në tre fish”, tha Morina.
“Ende nuk kemi arritur deri në 350 mikronë e ajo ka ndodhur para dy netësh, derisa të hënën ka qenë gjendja më e përmirësuar, pra 24 orët e fundit ka qenë në suazat normale. Gjatë javës së kaluar kemi pasur disa net me tejkalime më të mëdha. Por, krahasim me vitin e kaluar, kemi përgjysmë më pak ditë që kanë tejkaluar normat e lejuara”, tha Morina.
Termocentralet (Kosova A dhe B) konsiderohen si burimet kryesore të ndotjes së ajrit, sidomos në rrethinën e Prishtinës, Obiliqit e Fushë Kosovës, por vlerat e ndotjes vlerësohet se i shtojnë dukshëm edhe automjetet në qarkullim, sidomos ato të vjetrat, si dhe shfrytëzimi i qymyrit për ngrohje në zonat urbane. Ndotjes, i shtohet edhe faktori tjetër, ai i menaxhimit joadekuat të mbeturinave.
*Video nga arkivi: Ajri ngufatës
Your browser doesn’t support HTML5
Në anën tjetër, Trim Ilazi, aktivist për mbrojtjen e mjedisit thotë se Qeveria e Kosovës nuk ka bërë asgjë në drejtim të përmirësimit të cilësisë së ajrit. Ditët apo netët kur ajri ka përmirësime, sipas Ilazit, janë rezultat i kushteve klimatike, përkatësisht ditëve kur ka të reshura dhe erëra në vend.
“Jemi në vitin e tretë radhazi që marrim rezultat të cilësisë së ajrit, prej kur edhe janë publikuar të dhënat, edhe përderisa ka pasur shumë dokumente ligjore, rezoluta e edhe është përmendur që do të futet në Kushtetutë një nen për cilësinë e ajrit, realiteti është se gjendja është e njëjtë. I vetmi favor është kushtet klimatike që ta përmirësojnë cilësinë (e ajrit). Mjetet janë tepër të vogla që janë dedikuar për këtë problem, dhe derisa nuk kemi prioritet nga ana e Qeverisë, nuk pritet që të ketë ndryshime”, thotë Ilazi.
“Në anën tjetër, është një ngritje e madhe e banorëve sidomos në Prishtinë, e që ka shumë ngritje të ndërtesave kolektive, e rrjedhimisht edhe ngritja e ndotësve. Çka ishte dashur të bëhet është zgjerimi i koogjenerimit për banorët në Prishtinë dhe të bëhet një plan që e rregullon strukturën urbane si dhe një qarkullim publik të mirëfilltë, e që reflektohet në cilësinë e ajrit. Por, vetë ngadalësimi i procesit tregon mjaft. Dhe nëse cilësia e ajrit po përmirësohet është vetëm fati i kushteve klimatike dhe jo suksesi i ndonjë institucioni”, tha Ilazi.
Në një raport të Agjencisë Evropiane të Ambientit, të publikuar në fund të tetorit (2018), e i cili i referohet të dhënave të vitit 2015, thuhet se numri i vdekjeve të parakohshme nga sëmundjet që lidhen me ajrin e ndotur është 3700.
Edhe profesionistë shëndetësorë në Kosovë thonë se niveli i lartë i ndotjes së ajrit shihet si rrezik potencial për shëndetin, por edhe jetën e njeriut. Kjo ndotje, shihet si rrezik potencial për njerëzit me sëmundje kronike, ndër të cilët hyjnë edhe fëmijët.
SHIKONI EDHE: Ndotja e ajrit rrit numrin e pacientëve me probleme në mushkriNë Klinikën Pediatrike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës thonë se sidomos në sezonin e dimrit shtohet numri i fëmijëve që preken me sëmundje respiratore, apo edhe ato të mushkërive, e që një prej shkaktarëve është ajri i ndotur.
Muharrem Avdiu, pediatër në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka thënë në muajin dhjetor se tashmë kanë filluar të shtohen rastet me këto sëmundje dhe se një gjendje e tillë mund të zgjasë deri në muajin maj.
“Ne i kemi të mangëta të dhënat që do të mund të na ndihmonin për të sqaruar këtë problem. Por, nga përvoja në klinikë, e vërejmë se sidomos në kohën e dimrit, rriten infeksionet respiratore. Ne kemi repartet, por fëmijët që kërkojnë ndihmë, nuk i zë hapësira këtu, kështu që i shpërndajmë në gjithë klinikat”, ka thënë Avdiu.
SHIKONI EDHE: Ndotja e ajrit, rrezik për shëndetin dhe jetënSipas tij, ka raste kur shtrëngohen të vendosin edhe nga dy fëmijë në një shtrat.
Problemet shëndetësore që shkakton ajri i ndotur janë evidente, thekson ai, por beson se rastet kur faktori ndotje e ajrit mund të çojë deri në vdekje, janë më të pakta, thekson Avdiu.
Sidoqoftë, në Raportin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara thuhet se ajri i pastër që është nevoja më themelore, tashmë është shndërruar në një luks në shumë vende të botës. Aty thuhet se zbatimi i këtij projekti për ajrin e pastër, do të kushtojë 300-600 miliardë dollarë në vit.