Përmbledhja e hetimeve të Muellerit lë shumë pyetje pa përgjigje

Prokurori i Përgjithshëm, Bill Barr ka nënshkruar një përmbledhje të raportit të Këshilltarit të Posaçëm, Robert Mueller.

Kur Prokurori i Përgjithshëm amerikan, William Barr, ka bërë publike disa thekse të raportit të Këshilltarit Special, Robert Mueller më 24 mars, një gjë është bërë e qartë brenda pak minutave: hetimi nëse fushata e presidentit amerikan, Donald Trump ka kryer komplot apo është koordinuar me Rusinë gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016, ende nuk e ka zgjidhur këtë çështje.

Ekipi i Trumpit veçse ka nisur festimet, duke pretenduar se presidenti ka vepruar drejtë.

SHIKONI EDHE: Hetimet e Muellerit: Trump nuk ka kryer krim

Sipas Prokurorit Barr, raporti i Muellerit tregon se hetimi i tij nuk ka gjetur se anëtarët e fushatës së Trumpit janë koordinuar me Qeverinë ruse.

“Sa u përket aktiviteteve të ndërhyrjes në zgjedhje, Këshilltari Special nuk ka gjetur ndonjë bashkëpunim dhe nuk ka hasur në ndonjë ndërhyrje. Prokurori i Përgjithshëm, Barr dhe zëvendësi i tij, (Rod) Rosenstein kanë treguar se nuk ka pengim të drejtësisë”, ka thënë Sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders përmes një postimi në Twitter.

Vetë presidenti Trump, pas publikimit të përmbledhjes së prokurorit Barr ka konsideruar se është turp që SHBA-ja është dashur të përballet me këtë hetim.

“Pas një hetimi të gjatë, pasi shumë persona janë lënduar shumë, pasi nuk është parë ana tjetër ku janë shkaktuar dëme dhe pas shumë gjërave të këqija që i kanë ndodhur shtetit tonë, tani është bërë e ditur se nuk ka pasur bashkëpunim me Rusinë, gjëja më qesharake që mund ta kisha dëgjuar ndonjëherë. Nuk ka pasur bashkëpunim me Rusinë dhe nuk ka pasur pengim të drejtësisë”, ka thënë ai.

Por, kundërshtarët e Trumpit kanë thënë se as Mueller e as Barr nuk kanë deklaruar një gjë të tillë. Në pyetjen nëse Trump ka penguar drejtësinë gjatë hetimeve, raporti nuk është aq i prerë.

“Këshilltari Special ka deklaruar se ‘ndonëse raporti nuk gjen se presidenti ka kryer krim, ai po ashtu nuk e shfajëson atë’”, ka thënë Barr, i përzgjedhuri i Trumpit në këtë pozitë, në përmbledhjen e tij katërfaqëshe, që përfshin të gjeturat kryesore të hetimit të Muellerit, i cili ka zgjatur 22 muaj.

Sipas Barr, Mueller ka paraqitur faktet mirëpo “nuk ka dhënë qëndrime përfundimtare” nëse është penguar drejtësia, por sipas tij dhe zëvendësprokurorit, Rosenstein, të dhënat e ofruara nga hetimi i Muellerit nuk janë të mjaftueshme për të vërtetuar se presidenti ka kryer krim apo se ka penguar drejtësinë”.

SHIKONI EDHE: Raporti i Mueller- Çfarë tutje?

Barr, po ashtu ka thënë se ekipi i Muellerit nuk ka plane për të bërë padi të reja.

Demokratët kanë qenë të shpejtë për të kundërshtuar frazën e përdorur nga Shtëpia e Bardhë, të marrë nga përmbledhja e prokurorit Barr, dhe kanë përmendur mundësinë e thirrjes për intervistim për Muellerin, që të dëshmojë për të gjeturat e plota të raportit të tij.

Gjatë hetimit të tij, Mueller ka nisur rreth 2,800 thirrje për intervistim dhe ka paditur dhjetëra persona dhe subjekte për akuza të ndryshme.

Këshilltari i Posaçëm, Robert Mueller.

Megjithatë, asnjë nga akuzat nuk ka pasur lidhje direkte me pyetjen nëse ka pasur koordinim në mes të ndihmësve të Trumpit dhe zyrtarëve rusë.

Për më tepër, Mueller, që ka kaluar gati dy vjet duke hetuar pretendimet se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016, për t’i ndihmuar Trumpit që të mposhtë kundërshtaren e tij, Hillary Clinton, nuk ka thënë nëse është kryer ndonjë krim, duke i lënë prokurorit Barr të marrë këtë qëndrim.

“Vendimi i Prokurorit të Përgjithshëm për të ofruar vetëm një përmbledhje të raportit, nuk është i mjaftueshëm. Kongresi kërkon raport të plotë ashtu që komitetet të mund të kryejnë një punë të pavarura, duke përfshirë ndonjë çështje shtesë që mund të ngrisë raporti i Muellerit”, ka thënë kryesuesja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Ndërkohë që Barr dhe Departamenti i Drejtësisë shqyrtojnë mundësinë nëse raporti i Muellerit mund të publikohet në tërësi, analistët ligjorë kanë thënë se beteja rreth asaj se çfarë mund të publikohet, apo çfarë mund të jetë konsideruar shkelje e kryer nga Trump mund të lidhen me mundësinë e organizimit të votëbesimit për presidentin amerikan.

SHIKONI EDHE: Pelosi kundër nxjerrjes së Trumpit në votëbesim

Në të gjetura përmendet se Mueller nuk ka vërtetuar se fushata e Trumpit apo kushdo që ka qenë i lidhur me të, ka kryer komplot apo është koordinuar me Qeverinë ruse në përpjekjet për të ndikuar zgjedhjet “pavarësisht ofertave të shumta nga individë të lidhur me Rusinë për të ndihmuar” në fushatë.

Kopja e letrës së Prokurori Barr që ua ka dërguar anëtarëve të Komitetit të Senatit për Drejtësi, ku i ka njoftuar për raportin e Këshilltarit Mueller.

Në përmbledhje nuk janë përmendur emrat e këtyre individëve dhe, demokratët, përveç tjerash, kanë kërkuar më shumë informacione se si është arritur deri te përfundimi se nuk ka pasur komplot.

Robert Reich, profesor në Berkeley dhe ish-Sekretar amerikan i Shtetit gjatë administratës së presidentit Bill Clinton, ka thënë se rasti për pengim të drejtësisë kundër Trumpit është “i fuqishëm”.

“Përmbledhja e Barr jo vetëm që flet mbi gjetjet dhe lë hapësira në raportin e Muellerit, mirëpo ai po ashtu përmban një detaj kritik. Barr ka vendosur që të mos ngre padi kundër Trumpit për pengim të drejtësisë gjatë hetimeve. Ai ka bërë këtë pavarësisht faktit se vetë Trump ka pranuar se ka shkarkuar James Comeyn ka pozita e drejtorit të FBI-së, për të ndaluar hetimet rreth Rusisë”, ka thënë ai.

Përgatiti: Krenare Cubolli