Përleshje të reja mes forcave polake dhe migrantëve

Migrantët në kufirin Bjellorusi-Poloni para një gardhi dhe një numër ushtarakësh polakë.

Migrantët e bllokuar në Bjellorusi janë përleshur me ushtarët polakë në kufirin mes dy vendeve.

Ata kanë hedhur gurë dhe gjësende të forta në rojet e armatosura rëndë, të cilët u kundërpërgjigjën me topa uji dhe gaz lotsjellës.

“Migrantët po përpiqen të shkatërrojnë gardhin dhe të shkojnë në Poloni. Shërbimet tona përdorën gaz lotsjellës për të zmbrapsur ata”, shkroi Ministria e Mbrojtjes e Polonisë më 16 nëntor në rrjetin social Twitter.

Ministria postoi një video e cila shfaqte dhunën që ndodhi në pikën kufitare të Kuznicës.

Situata në kufirin mes Polonisë, e cila është vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe Bjellorusisë është përkeqësuar ditët e fundit.

Mijëra njerëz, kryesisht nga Lindja e Mesme, janë të ngecur në kampe të improvizuara në kushte të vështira në anën bjelloruse të kufirit me Poloninë, Letoninë dhe Lituaninë.

Ata po përpiqen të hyjnë ilegalisht në Bashkimin Evropian.

SHIKONI EDHE: Kërkohen masa nga NATO për krizën me emigrantë në kufirin Bjellorusi-Poloni

BE-ja po e akuzon udhëheqësin autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, se po dërgon në mënyrë të organizuar migrantë në kufijt e BE-së. Kjo, sipas BE-së, po ndodhë si shenjë hakmarrjeje kundër sanksioneve të vendosura pas zgjedhjeve presidenciale në gusht 2020, kur Lukashenka shpalli fitoren, pavarësisht akuzave nga opozita dhe perëndimi se zgjedhjet ishin të manipuluara.

Pas zgjedhjeve, Bjellorusia u përfshi nga protestat e opozitës të cilat u goditën me forcë nga regjimi i Lukashenkas.

Shumica e liderëve të opozitës janë larguar nga vendi për të shmangur arrestimin.

Qeveria e Lukashenkës, e cila mbështetet nga Rusia, ka mohuar akuzat e BE-së se po i përdorë migrantët si mjet shantazhi dhe akuzon bllokun për shkelje të të drejtave të njeriut duke refuzuar ata të aplikojnë për azil.

Më 15 nëntor, Bashkimi Evropian ka njoftuar për sanksione të reja ndaj Bjellorusisë ndërkohë administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, tha se gjithashtu është duke përgatitur sanksione të reja.

Lukashenka përsëriti më 16 nëntor se dëshiron që të shmangë mundësinë që kjo krizë të kthehet në "konflikt të nxehtë".