Protestat kundër politikanit pro-rus, Calin Georgescu, u përhapën përtej Bukureshtit në qytete të tjera rumune më 26 nëntor, pas fitores së tij të papritur në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale gjatë fundjavës.
Protesta kundër Georgescut u zhvilluan në mbrëmjen e 26 nëntorit në Bukuresht, Timishoara, Jasi, Brasov dhe Sibiu.
Georgescu do të përballet në balotazh me kandidaten pro-perëndimore të qendrës së djathtë, Elena Lasconi, më 8 dhjetor, pasi fitoi 22.94 për qind të votave në rundin e parë të zgjedhjeve më 24 nëntor në shtetin anëtar të BE-së dhe NATO-s.
Rreth 1.000 persona dolën në Bukuresht për natën e dytë të protestave kundër Georgescut në Sheshin e Universitetit të kryeqytetit rumun.
Shumica e atyre që dolën në rrugë ishin të rinj, të cilët shprehën shqetësimin e tyre për qëndrimet radikale të Georgescut dhe të ardhmen e vendit të tyre.
“Jam këtu sepse për momentin demokracia jonë është në një situatë të pasigurt dhe besoj fort se ne, brezi i ri, mund ta parandalojmë një katastrofë të ardhshme, e cila mund të ndodhë në rundin e dytë”, tha një student nga Bukureshti që refuzoi të identifikohej me emër.
SHIKONI EDHE: Si e ndihmoi TikTok-u kandidatin e ekstremit të djathtë në RumaniNjë tjetër protestuese tha se ishte e demoralizuar që njerëzit zgjodhën të mos informohen për Georgescun përpara zgjedhjeve.
“Unë nuk mund të pranoj që unë ose fëmijët e mi të ardhshëm... të drejtohemi nga një fashist”, tha protestuesja, e cila gjithashtu refuzoi të japë emrin e saj.
Ajo tha se rumunët duhet të ndjekin rrugën e demokracisë dhe se ende ka një mundësi për këtë në zgjedhjet parlamentare që pritet të mbahen më 1 dhjetor dhe në balotazhin presidencial më 8 dhjetor.
“Ne mund të kthehemi 35 vjet më parë dhe të shohim çfarë kanë kaluar prindërit dhe gjyshërit tanë... dezinformimin masiv që përjetuan kur [diktatori komunist rumun, Nicolae] Çaushesku u zgjodh”, tha ajo. “Le të informohemi para se të zgjedhim. Duhet të shkojmë masivisht në votim. Ne të rinjtë kemi një zë dhe duhet ta përdorim atë”.
SHIKONI EDHE: Fituesi i befasishëm i presidencialeve në RumaniNë Timishoara, të rinjtë thërrisnin “Sot në Timishoara, nesër në të gjithë vendin”, duke iu referuar revolucionit të dhjetorit të vitit 1989, i cili kishte filluar në Timishoara.
Protesta të ngjashme u mbajtën më 26 nëntor në Jasi dhe Brasov, ku disa dhjetëra të rinj u mblodhën.
Protestuesit në Jasi thanë se nuk dëshironin të drejtoheshin nga një diktator ose një simpatizant i liderëve anti-semitë dhe fashistë të Rumanisë së viteve 1930 dhe 1940.
Georgescu, 62 vjeç, ka mohuar që është ekstremist apo fashist dhe e ka cilësuar veten si “një rumun që e do vendin e tij”.
Ai kishte një mbështetje të ulët në sondazhe përpara një fushate virale në TikTok që bënte thirrje për t'i dhënë fund ndihmës për Ukrainën. Kandidati i pavarur këmbëngul se “nuk ka Lindje apo Perëndim” dhe theksoi se neutraliteti ishte “absolutisht i domosdoshëm”.