Njohësit e çështjeve juridike theksojnë duket qartë se institucionet në Maqedoni vazhdojnë të humbin betejën me luftën kundër korrupsionit, përderisa në opinion shpalosen në vazhdimësi afera korruptive, por të njëjtat nuk marrin epilog gjyqësor.
Së fundmi ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska e cila vjen nga Lidhja Social Demokrate (LSDM),ka bërë të ditur se 12 mijë punëtorëve nga sektori privat dhe publik nuk u janë shpërndarë sigurimet pensionale të shtyllës së dytë, në vlerë prej 19 milionë euro edhe pse punëdhënësit i kanë bërë pagesat në Fondin Pensional.
Gjatë të mërkurës, Prokuroria Publike ka bërë të ditur se lidhur me këtë rast ka hapur procedurë para hetimore ndaj personave të panjohur, duke mos dhënë më shumë detaje.
Ministrja Carovska gjatë publikimit të këtij skandali ka bërë të ditur se nga viti 2007 deri në vitin 2018 çdo i punësuar ka humbur rreth 400 mijë denarë, pasi kontributet e të cilëve kanë mbetur në Fondin e Sigurimit Pensional dhe Invalidor, drejtori kjo e cila është drejtuar dhe vazhdon të drejtohet nga kudro të Bashkimit Demokratik për integrim (BDI) – parti kjo pjesë e koalicionit qeverisës – ku me ç’rast, 12 mijë personave nuk u është realizuar pagesa e kontributeve në shtyllën e dytë.
Menjëherë pas publikimit të skandalit, zëvendëskryeministri për Çështje të Integrimeve, Bujar Osmani doli në mbrojtje të ish-drejtorëve të Fondit të Sigurimeve Pensionale, që janë kuadër i partisë së tij, duke përgënjeshtruar ministren Carovska, sepse, siç theksoi ai, paratë nuk janë vjedhur, por nuk janë dërguar aty për çka ishin të destinuara.
Në këtë drejtim, Mirjana Najçevska, ish-kryetare e Komitetit të Helsinkit në Shkup, për Radion Evropa e Lirë thotë se mosalokimi i mjeteve në konton për çka ishin paraparë, paraqet krim dhe për këtë duhet të jepet përgjegjësi, nëse funksionon shteti ligjor.
“Krijohet përshtypje se edhe kjo Qeveri vazhdon me praktikat e qeverisjes së kaluar. Fillimisht, institucionet tregohen të ngathëta sa i përket ndëshkimit të atyre që shkelin ligjin, ndërkohë që kanë drejtuar institucione të caktuara. Pastaj vazhdon praktika e heshtjes ndaj veprave kriminale ose hiqet dorë nga hetimi i aferave të mëdha korruptive”, thekson Najçevska, duke shtuar se pikërisht është kjo që dëmton besimin e qytetarëve ndaj sistemit të drejtësisë.
SHIKONI EDHE: Kërkohen reforma thelbësore në sistemin gjyqësorMinistrja e Punës dhe Politikës Sociale është zotuar se paratë do t’u kthehen pensionistëve gjatë muajve në vijim, por ekspertët thonë se duhet të kërkohet përgjegjësi penale ndaj zyrtarëve që dyshohet se kanë shkelur procedurat ligjore sepse në këtë mënyrë po dëmtohet buxheti i shtetit.
Ekspertëtdruajnë se si rrjedhojë e mosfunksionimit të institucioneve që duhet të luftojnë korrupsionin. faji do të mbetet “jetim”.
Arif Musa, ish-anëtar i Komisionit për Anti-korupsion, për Radion Evropa e Lirë thotë se në Maqedoni institucionet që janë përgjegjëse për të luftuar korrupsionit, mbeten thënë kushtimisht, të bllokuara për arsye të ndryshme, pikërisht që të mos preken elitat politike, duke kujtuar kështu mosfunksionimin e Komisionit shtetërore për Anti-korrupsion, që nga pranvera e vitit të kaluar.
“Thjesht institucionet janë të kapura prandaj janë jofunksionale. Në një situatë të tillë nuk mund të presim që lufta kundër korrupsionit të jetë e suksesshme, të paktën të parandalohet kjo dukuri, ose të kemi një luftë më të denjë, më cilësore e cila do të jetë e dukshme në opinion dhe do të prodhonte efekte që të mund të dalim si shtet nga ky rrethi magjik në të cilin të gjithë janë future në korrupsion”.
“Gjatë 2018 edhe me këtë përbërje qeveritare, ne kemi shumë raste të keqpërdorimeve me përmasa të mëdha, që faktori ndërkombëtar, shoqëria civile e cila hulumton aktivitet korruptive i kanë nxjerrë në pah, por mungon reagimi i institucioneve kompetente. Këtu kemi të bëjmë me një korrupsion klasik politik, që gjeneron kriminalitet ekonomik”, thotë Musa.
Ndërkohë që partitë politike kanë shkëmbyer akuza se ky rast i publikuar ka të bëjë me shkeljen e ligjeve apo është publikuar për të krijuar pompozitet në opinion, se po punohet në luftën kundër krimit.