E.S (emri i njohur për redaksinë) është një nga pesë mijë nxënësit 15-vjeçar, që në muajin prill të vitit të kaluar i është nënshtruar programit për vlerësimin ndërkombëtar të cilësisë së arsimit, i njohur më shkurtesën PISA.
Në këtë test, Kosova për dy herë radhazi është radhitur në fund të listës së vendeve pjesëmarrëse.
Nxënësi E.S, që tashmë ka 17 vjet dhe vijon mësimin në klasën e 12 me sukses të shkëlqyeshëm në nivelin e arsimit të lartë në Kosovë, tregon për Radion Evropa e Lirë, se rreth një muaj para testit kanë bërë përgatitje dhe kanë mbajtur orë plotësuese me profesorë të lëndëve përkatëse.
Ai thotë se kanë pasur një broshurë me disa pyetje nga testet paraprake të PISA-s.
SHIKONI EDHE: PISA e radhit Kosovën edhe më keq se në vitin 2015PISA, studimi më i madh ndërkombëtar në botë për arsim ka bërë vlerësimin për njohuritë e nxënësve 15-vjeçar në lexim, matematikë dhe shkencë.
“Paraprakisht, rreth një muaj kemi bërë përgatitje për secilën lëndë me profesorët përkatës. Kemi mbajtur 2-3 orë shtesë, përveç orëve normale të mësimit. Jemi njoftuar për pyetjet, me formatin e testit realisht. Jemi njoftuar se si zhvillohet testi me kompjuterë sepse në shkollë nuk mbajmë teste me kompjuterë, përveç lëndës së teknologjisë. Ka pasur një organizim, mirë kemi qenë edhe të informuar për formatin dhe rëndësinë e testit, por rezultati është ky…”, tha E.S.
Ai tregon për disa nga pyetjet që në testin PISA 2018 është dashur të plotësohen.
“Tekstualisht nuk më kujtohen pyetjet, por forma. Për shembull në lëndën e gjuhës shqipe ka pas disa pyetje, të lexohet teksti dhe të tregohet kuptimi ose të tregohet rreth një personazhi. Matematikë ka pas më shumë pyetje logjike”, shprehet ai.
Ndryshim i vetëm në vlerësimin ndërkombëtar, sipas tij, ka qenë se testi është zhvilluar në formën digjitale.
“Përpos lëndës së teknologjisë dhe ndonjë projekti që ne përgatisim, si për lëndët, kimi, fizikë dhe biologji, në shkollë nuk kemi kompjuterë për përdorim të përditshëm. Kjo ka qenë diçka e re, jo shumë interesante sepse ne përdorim kompjuterët në jetën e përditshme për nevojat tona, por si proces i testimit ka qenë ndryshe për shkak se në procesin mësimor (në Kosovë) nuk bëhet test me kompjuterë”, tha ai.
Edhe ministri në Largim i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, të martën ka thënë se një nga arsyet për këtë rezultat të dobët mund të jetë e ndërlidhur me faktin se pjesëmarrja e nxënësve në test u bë në formën digjitale.
Përgatitjet e nxënësve në Kosovë kanë filluar pas identifikimit të nxënësve pjesëmarrës në test. Koordinatori i PISA-s në gjimnazin “Sami Frashëri”, Zeqirja Zylfiu në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tregon se fillimisht në PISA dërgohen të gjithë emrat e nxënësve 15 vjeç dhe më pas, PISA zgjedh emrat e nxënësve dhe dërgohet lista në shkollë.
Ai thotë se rreth një muaj më herët, nga Ministria e Arsimit kanë marrë një broshurë me pyetje të ndryshme të testeve të viteve paraprake.
“Pasi janë marrë emrat e nxënësve kanë qenë broshurat të cilat iu kanë ndarë nxënësve, ku kanë qenë pyetje të testeve paraprake të PISA-s dhe më pas janë caktuar edhe profesorët e lëndëve përkatëse të cilët kanë punuar me nxënësit e përzgjedhur. Pasi janë caktuar nxënësit dhe profesorët e lëndëve përkatëse, ata kanë mbajtur orë shtesë, jashtë orarit të mësimit dhe përgatitja ka shkuar siç duhet, siç është paraparë. Pyetjet kanë qenë nga jeta e përditshme, jo pyetje që mësohen në procesin mësimor. Pyetjet dhe formulimet e tyre që kanë qenë në broshura nga PISA, kanë qenë më ndryshe, prej asaj qe mësojmë ne, mirëpo nuk do të thotë se janë larguar shumë nga ajo që punojmë ne me nxënësit”, tha Zylfiu.
SHIKONI EDHE: Një vit i rëndë për arsiminProgrami për vlerësimin ndërkombëtar të nxënësve, i njohur me shkurtesën PISA, 2018 ka radhitur Kosovën në vendin e 77 në mesin e 79 shteteve, të cilat i janë nënshtruar këtij vlerësimi, duke ranguar të tretën nga fundi. Kosova në këtë test ka lënë pas vetëm Republikën Dominikane dhe Filipinet.
Por, cila është përgjigjja e nxënësi E.S, pjesëmarrës në test, pas publikimit të rezultateve.
“Nuk mund të them se jam zhgënjyer, por i dëshpëruar po, pasi e ndjen një pjesë të fajit si pjesëmarrës direkt në test. Por, kjo është një thirrje për zgjim, për të punuar për të ardhmen. Në pozitën time, unë jam dëshpëruar me rezultatin, por jo i zhgënjyer në këtë rast me veten time, pasi nuk është rezultat vetëm i imi”, tha ai.
Në Kosovë vlerësimit të vitit 2018 i janë nënshtruar mbi pesë mijë nxënës 15-vjeçar nga më shumë se 200 shkolla.
Sipas raportit të PISA 2018, gjimnazet kanë arritur nivel më të lartë në test sesa shkollat profesionale. Nëse krahasohet performanca e mesatare e Kosovës me vendet e rajonit, sipas raportit, performanca mesatare e 15-vjeçarëve në Kosovë është e ulët, krahasuar me vendet dhe ekonomitë e tjera pjesëmarrëse në lexim, matematikë dhe shkencë. Kur bëhet krahasimi i performancës në Kosovë me vendet dhe ekonomitë e tjera në Ballkan, shihet që vendet e tjera të Ballkanit performojnë më mirë në të tri fushat.
Nëse merret dallimi në lexim mes Kosovës (rezultatit 352) dhe Maqedonisë së Veriut (rezultati 393), dallimi është për 40 pikë. Në matematikë dallimi mes Kosovës (rezultati 366) dhe Maqedonisë së Veriut (rezultati 394) është 38 pikë. Kurse në shkencë, dallimi mes Kosovës (rezultati 365) dhe vendit vijues të Ballkanit në radhitje, Bosnjës dhe Hercegovinës, (398) është pak më i vogël, 34 pikë.
Kosova për herë të parë ka qenë pjesë e këtij vlerësimi në vitin 2015, kur edhe atëherë ka treguar rezultate të dobëta. Atëbotë, Kosova është radhitur në vendin e 68, në mesin e 72 vendeve që kanë marrë pjesë në këtë test.