Ukrainasit i janë kthyer infrastrukturës së Luftës së Ftohtë, teksa po përgatiten për një pushtim të mundshëm nga Rusia.
Zyrtarët e qytetit të Kievit, më 20 dhjetor, ua kanë treguar gazetarëve strehimet e ndërtuara gjatë Luftës së Ftohtë, të cilat janë bërë gati për një kërcënim të ri të mundshëm: pushtimin e Ukrainës nga Rusia.
Frika nga lufta po qarkullon që nga fundi i nëntorit, kur tanket ruse u panë duke u grumbulluar pranë kufirit me Ukrainën. Disa analistë besojnë se një pushtim mund të ndodhë brenda javësh. Të tjerë thonë se grumbullimi ogurzi ushtarak nuk është asgjë më shumë se një lojë e menduar për të siguruar lëshime nga Perëndimi.
Një bunker që Radio Evropa e Lirë e ka vizituar në rajonin e Dniprovskit, në lindje të Kievit, ka kapacitet për 350 persona dhe është menduar për punonjësit e zonës. Një zyrtar komunal ka thënë se strehimi i ka të gjitha gjërat që nevojiten për mbijetesë, përfshirë rezervuarët e ujit, banjat dhe një sistem të ajrosjes.
Strehimi në Dniprovski është ndërtuar në vitet '80, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Sovjetik kishin drejtuar armë bërthamore nga qytetet e njëra-tjetrës. Tani, zyrtarët e qytetit po punojnë për të siguruar që sa më shumë prej hapësirave të jenë të përdorshme për një luftë të nxehtë të mundshme me rusët.
Në Kiev ndodhen edhe rreth 500 vende të tjera të specializuara, sikur strehimi në Dniprovski. Të gjitha janë të ndërtuara në mënyrë pothuajse identike dhe janë të menduara për t’i strehuar punonjësit komunalë.
Një tjetër bunker që gazetarët e kanë parë, më 20 dhjetor, është menduar për qëndrime afatshkurtra të civilëve, gjatë bombardimeve apo sulmeve me raketa. Shenjat e vjetra prej dekadash, në hyrje, i udhëzojnë njerëzit se si të pastrohen, pas ndonjë sulmi bërthamor apo kimik.
Përveç strehimeve të specializuara, Kievi gjithashtu i ka edhe 6,000 bodrume për “përdorim të dyfishtë”, të cilat mund të shfrytëzohen në rast të ndonjë sulmi eventual në qytet.
Strehimet e tilla për përdorim të dyfishtë janë kryesisht të mbyllura me dry. Megjithatë, zyrtarët komunalë kanë deklaruar se ato mund të hapen për publikun brenda 15 minutash, në rast të ndonjë urgjence.
Shigjetat e vizatuara për orientim drejt strehimeve të nëndheshme u bënë të zakonshme në Kiev, pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, më 2014. Sipas zyrtarëve komunalë, hapësirat e tilla tani kontrollohen shpesh, për të parë nëse janë të qëndrueshme në rast lufte.
Hapësira të tjera më të dukshme për strehim përfshijnë sistemin e gjerë të metrosë në qytet, si dhe nënkalimet e autostradave. Autoritetet e qytetit në Kiev kanë publikuar një hartë, në të cilën janë shënuar me mijëra vende ku banorët mund të strehohen, në rast se ndodh skenari më i keq.