Ekipi i Radios Evropa e Lirë në Zubin Potok e ka konfirmuar se në këtë komunë ka përfunduar protesta e serbëve lokalë, të cilët ishin grumbulluar para objektit të komunës qysh nga orët e hershme të mëngjesit.
Ndërkohë, protestat po vazhdojnë në Leposaviq dhe në Zveçan, edhe pse te kjo e fundit protestuesit janë larguar nga rruga shkaku i reshjeve të shiut.
Protestat në këto komuna në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – filluan më 26 maj, kur grupe të serbëve lokalë u grumbulluan para objekteve komunale për të protestuar kundër hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit në to.
- Për t'u informuar lidhur me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, përcillni blogun e Radios Evropa e Lirë
Zgjedhjet në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe u mbajtën më 23 prill pas dorëheqjes së kryetarëve nga radhët e Listës Serbe - partisë më të madhe të serbëve të Kosovës - në nëntor të vitit të kaluar.
Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, që tani nuk i pranon kryetarët e rinj.
Situatë më e tensionuar gjatë këtyre ditëve është raportuar në Zveçan, ku 30 ushtarë të KFOR-it mbetën të lënduar më 29 maj pas përleshjeve me protestuesit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka mbrojtur veprimet e Policisë së Kosovës, e cila ndihmoi instalimin e kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.
SHIKONI EDHE: Kurti: Nuk dua të krijoj struktura paralele në veri të KosovësPor, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët kanë thënë se përdorimi i forcës minon përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe kanë bërë thirrje për qetësim të situatës.