Të premten në Prizren është protestuar kundër një performance të realizuar në hapje të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar, Dokufest, që mbahet në të njëjtin qytet.
Thirrja për protestë është bërë Këshilli i Bashkësisë Islame të Prizrenit.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), tha në një reagim se ka ndodhur një sulm ndaj ekipit të portalit Nacionale, gazetarit Vullnet Krasniqi dhe kameramanit, Arbër Latifi, gjatë protestës më 11 gusht në Prizren.
“Ky është një sulm i papranueshëm dhe kërcënim serioz për sigurinë e gazetarëve. AGK-ja, kërkon nga Policia arrestimin e menjëhershëm të sulmuesve dhe përballjen e tyre të menjëhershme me drejtësinë”, shkroi AGK në Facebook.
Qytetarët janë mbledhur në Sheshin Shatërvan dhe kanë mbajtur në duar mbishkrimet: “Dokufest i keq”, “Jo degjenerimit”, “Drogën larg fëmijëve tanë”, “Prizreni, qytet i historisë”, e tjera.
Mbishkrimet “Jo me tatimet tona” dhe “Jo poshtërimit” janë parë edhe në oborrin e xhamisë kryesore në këtë qytet.
Në nisje të edicionit të sivjetmë të festivalit, grupi kanadez "Peaches", e ka realizuar një performancë në mbrojtje të transgjinorëve, por edhe të fenomeneve tjera që mund të konsiderohen tabu në shoqëri.
Organizatorët e festivalit u kanë thënë mediave lokale në Kosovë, se në hapje kanë marrë pjesë vetëm personat që kanë pasur bileta, dhe të gjithë kanë qenë mbi moshën 18-vjeçare.
Temë e edicionit të sivjetmë të Dokufestit është inteligjenca artificiale.
Dokufesti këtë vit i ka hapur dyert më 4 gusht, ndërsa përfundon më 12 gusht.
Si rëndom, ai edhe këtë vit e ka gjallëruar Prizrenin, pasi tërheq mijëra vizitorë nga shumë vende të botës.