Në Tregun e Gjelbër në Shkup, shumica e shitësve thonë se i shërbejnë blerësit e produkteve ushqimore me qese plastike pa pagesë, edhe pse një gjë e tillë është e ndaluar me ligj.
Me ligjin e ri në Maqedoninë e Veriut, qytetarët nga 1 dhjetori i vitit të kaluar duhet të paguajnë 15 denarë - apo rreth 25 centë - për çdo qese plastike.
Dejana, shitëse në një nga tezgat e Tregut të Gjelbër në Shkup, thotë se e di se mospagesa e qeseve të plastikës është e ndaluar, por shton se në këtë mënyrë kujdeset që të mos i humbasë myshterinjtë.
“Për 400 denarë [6.5 euro] na sjellin një tufë prej njëmijë qeseve të plastikës. Jemi të detyruar ta bëjmë këtë, pasi qeset pa doreza, që janë të parapara për zarzavate, kushtojnë 15 denarë, aq para sa kushton një tufë majdanoz ose qepë të reja”, thotë Dejana për Radion Evropa e Lirë.
SHIKONI EDHE: Për dy qese plastike, qytetarët do të paguajnë aq sa kushton një bukëEdhe Berzati, gjithashtu tregtar, thotë se të gjithë blerësit i shërben me qese plastike.
“Çdokujt i japim qese pa pagesë, është e ndaluar, por kush e sheh... Po mendoj se nuk na bëjnë probleme, sepse sikur të na bëjnë probleme [inspektorët], sigurisht se do të ndalojmë të japim qese pa pagesë”, thotë ai.
Gjobat për mosrespektimin e Ligjit për menaxhimin e ambalazheve sillen nga 1,000 deri në 20,000 euro, në varësi të madhësisë së kompanisë dhe llojit të shkeljes.
Nga Inspektorati i Tregjeve në Maqedoninë e Veriut bëjnë të ditur se gjatë muajit janar kanë kryer më shumë se 500 kontrolle, por nuk japin detaje për parregullsitë që mund t’i kenë regjistruar.
Ministri i Ambientit Jetësor në Maqedoninë e Veriut, Naser Nuredini, bën të ditur se përdorimi i qeseve të plastikës gjatë muajve dhjetor dhe janar është ulur për 10 herë, në krahasim me muajt paraprakë.
Edhe prodhuesit e qeseve të plastikës thonë se është ulur për më shumë se 60 për qind prodhimi i qeseve të tilla.
“Ne furnizojmë dyqanet e mëdha, por është e dukshme se nuk kemi porosi. Kemi disa porosi të vogla për qese pa doreza që shërbejnë për pemë e perime dhe aq. Duket se na është ulur shumë prodhimtaria”, thotë Marina Petrovska, e cila drejton një kompani familjare për prodhimin e qeseve të plastikës.
Aleksander Borizovski, i cili po ashtu drejton një kompani të ngjashme, thotë se rënia e prodhimit do ta detyrojë të largojë nga puna më shumë se dy të tretat e të punësuarve.
“Dhjetori dhe janari ishin muaj shumë të vështirë për ne. Kërkesa për qese ka rënë pothuajse në zero, për këtë arsye unë do të duhet të largoj nga puna 70 për qind të të punësuarve. Kompanitë që i furnizonim me 30 tonë qese plastike, tani na blejnë diku 3 deri në 5 tonë”, thotë Borizovski.
Qeset e plastikës që hidhen në natyrë, ndotin mjedisin.
SHIKONI EDHE: OKB shpall qasjen në ambient të hapur si të drejtë të njeriutNdikimi kryesor i tyre është se duhen shumë vite që ato të dekompozohen. Përveç kësaj, kur qeset e plastikës shkatërrohen nën rrezet e diellit, në tokë lëshohen substanca toksike.
Bashkimi Evropian - ku Maqedonia e Veriut synon të anëtarësohet - ka fuqizuar direktivën që ndalon plastikën për një përdorim, qysh në korrik të vitit të kaluar.
Produktet e plastikës për një përdorim përfshijnë: pjatat, gotat, shkopinjtë për pirje dhe ato qese që, sipas BE-së, shndërrohen në mikroplastikë dhe mbeten gjatë në mjedis.
Këto plastika, sipas vlerësimeve të BE-së, përbëjnë rreth 70% të mbeturinave detare në Evropë.
Në rajonin e Ballkanit, tregtarët në Kosovë i japin falas qeset e plastikës; ata të Shqipërisë i shesin; Kroacia, nga janari i këtij viti, ka ndaluar përdorimin e qeseve të tilla; Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina kanë paralajmëruar masë të tillë, por ende nuk është vendimtare, ndërsa në Serbi disa qytete kanë ndaluar përdorimin e qeseve të plastikës, por vendim në nivel kombëtar nuk ka.