Agjencia e Kombeve të Bashkuara për mbikëqyrjen e armëve kimike tha se është “e shqetësuar” lidhur me raportimet e pakonfirmuara të përdorimit të armëve kimike në qytetin-port ukrainas të Mariupolit.
Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW) tha se po monitoron nga afër situatën.
“Sekretariati teknik i OPCW është i shqetësuar nga raportimet e fundit të pakonfirmuara të përdorimit të armëve kimike në Mariupol, që janë publikuar në media në 24 orët e fundit”, tha OPCW.
SHIKONI EDHE: Ukraina po heton raportimet për sulm me armë kimikeAnëtarë të Kongresit amerikan, që gjithashtu janë duke e monitoruar situatën, thanë gjatë një vizite në Poloni më 12 prill se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët nuk do të qëndrojnë duarkryq nëse përdoren armë kimike në Ukrainë.
SHBA-ja po heton raportimet se substanca helmuese janë hedhur në Mariupol, thanë ligjvënësit, por ata paralajmëruar se përcaktimi i natyrës së çdo sulmi në Mariupol mund të marrë kohë.
“Ne po i marrim seriozisht ato raportime dhe e di që Qeveria e SHBA-së dhe qeveritë e tjera po tentojnë të përcaktojnë nëse kjo vërtetë ka ndodhur”, tha ligjvënësi demokrat nga Kolorado, Jason Crow.
Crow tha se administrata amerikane “e ka bërë shumë të qartë se përdorimi i armëve kimike nuk do të tolerohet”.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, po ashtu ka folur për raportimet lidhur me përdorimin e mundshëm të armëve kimike në Mariupol.
“Ne nuk jemi në gjendje që të konfirmojmë këto raportime dhe mendoj se as ukrainasit nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë”, tha Blinken.
SHIKONI EDHE: A është gati Rusia të përdorë armë bërthamore në Ukrainë?Ai shtoi se Uashingtoni kishte “informacione të besueshme” se forcat ruse mund të përdorin një sërë agjentësh për kontrollin e trazirave, përfshirë gaz lotsjellës të përzier me agjentë kimikë. Përdorimi i agjentëve të tillë do të shkaktonte simptoma që do të kishin për synim të dobësonin ose paaftësonin luftëtarët apo civilët ukrainas në Mariupol, tha ai.
“Ne e kemi ndarë këtë informacion me Ukrainën dhe partnerët e tjerë”, tha Blinken. “Dhe ne jemi në bisedime direkte me partnerët për të tentuar që të përcaktojmë se çfarë realisht ka ndodhur”.