Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka thënë të shtunën se vendimi i autoriteteve shtetërore për dëbimin e tre diplomatëve rusë, ka qenë i pashmangshëm.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës në gjuhën maqedonase, Pendarovski ka thënë se “shteti nuk kishte zgjidhje tjetër, pos dëbimit të tyre”.
“Të gjitha shërbimet kompetente, si inteligjenca e jashtme dhe inteligjenca e brendshme, kishin një raport të përbashkët lidhur me aktivitetet e tre diplomatëve dhe vendimi i kreut të shtetit ishte i domosdoshëm. Ishte shumë e qartë se ata nuk merreshin me aktivitetet diplomatike siç e parashikon Konventat e Vjenës”, ka deklaruar Pendarovski.
SHIKONI EDHE: Petrovska: Lajmet e rrejshme ruse krijojnë ndasi mes qytetarëve në Maqedoninë e V.Diplomatët rusë, sipas një njoftimi të Ambasadës ruse në Shkup, ishin dëbuar më 15 shtator, ndërsa vendimi është bërë i ditur më 16 shtator edhe nga Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut.
Për Rusinë, shpallja e tre diplomatëve si të padëshirueshëm është një "akt i papërgjegjshëm dhe armiqësor, që nuk do të mbetet pa u ndëshkuar”.
Presidenti Stevo Pendarovski, në intervistën për Zërin e Amerikës, ka thënë se në dy vitet e fundit, Maqedonia e Veriut ka dëbuar 18 diplomatë rusë, të cilët, siç tha ai, “kishin statusin e diplomatit, por që ishin të angazhuar me veprimtari spiunazhi”.
“Në të gjitha rastet, shërbimet maqedonase, me ndihmën e shërbimeve partnere nga aleanca e NATO-s, dëshmuan deri në germën e fundit se ata shkonin përtej statusit që u është dhënë si diplomatë në Maqedoninë e Veriut, pra ata nuk kanë qenë diplomatë dhe për këtë janë dëbuar”, tha Pendarovski.
SHIKONI EDHE: Rubin: Ka njerëz në Rusi që nuk duan ta shohin Maqedoninë e V. në BEAi tha se pret nga pala ruse që të përgjigjet ndaj veprimeve të palës maqedonase.
Përveç tre diplomatëve rusë, Maqedonia e Veriut e shpalli person non grata [person të padëshiruar] edhe një klerik rus, arkimandritin Vasian Zmeev. Ai ishte përfaqësues i Patriarkanës së Moskës që mbulonte edhe Bullgarinë.
Vendim të njëjtë ndërmorri edhe Sofja duke e shpallur gjithashtu të padëshiruar me arsyetimin se paraqet “kërcënim për sigurinë kombëtare”.
Pas agresionit rus kundër Ukrainës, më 24 shkurt 2022, Maqedonia e Veriut, si anëtare e NATO-s dhe aspirante për anëtarësim në Bashkimin Evropian, iu bashkua vendeve perëndimore që dënuan agresionin dhe vendosën sanksione kundër Federatës Ruse.
Maqedonia e Veriut, gjithashtu, ka ofruar ndihmë ushtarake për Ukrainën në disa raste.