Pema e lashtë që shpresohet se mund ta zëvendësojë naftën
Teksa pjesë të mëdha të industrisë dikur të famshme të agrumeve në shtetin amerikan Florida pothuajse janë tharë gjatë disa dekadave të fundit për shkak të dy sëmundjeve fatale, disa fermerë kanë kthyer vëmendjen nga pema e pongamisë, një dru që u përshtatet klimave dhe ka potencial të prodhojë proteina me bazë bimore dhe biokarburant të qëndrueshëm.
Për shumë vite, pongamia është përdorur si pemë hijerëndë, që prodhon bishtaja – kokrra të vogla ngjyrë kafeje – të cilat janë aq të hidhura, saqë as derrat e egër nuk i hanë.
Por, për dallim prej pemëve të portokallit dhe të grejpfrutit, që prej kohësh kanë vënë rrënjët në këto korije në zonat rurale të Floridës, pemët e pongramisë nuk kanë nevojë për shumë kujdes.
Ato nuk kanë nevojë për pleh, apo për pesticide. Ato lulëzojnë në thatësirë apo kushte me shi. Dhe, për t’i mbledhur kokrrat e tyre, nuk nevojiten ekipe punonjësish. Një makinë thjesht shkund kokrrat e vogla nga degët, kur ato të jenë gati për t’u vjelë.
Terviva, një kompani me bazë në San Francisko, e themeluar më 2010, më pas përdor procesin e tij të patentuar për të hequr biopesticidet që shkaktojnë shijen e hidhur, duke i bërë kokrrat më të përshtatshme për prodhim të ushqimit.
Pongamia është pemë e egër, e cila ka prejardhjen nga India, Azia Juglindore dhe Australia.
Kokrrat tani përdoren për të prodhuar disa produkte, përfshirë vajin ushqimor dhe miellin e pasuruar me proteina.
Kokrrat prodhojnë, po ashtu, një vaj që mund të përdoret si biokarburant, kryesisht për aviacion, i cili lë shumë pak gjurmë karboni, sipas Ron Edwards, kryetar i bordit të drejtorëve të kompanisë Terviva - i cili nuk duket në këtë foto.
Një hektar i mbjellë me këto pemë ka mundësi të sigurojë sasinë e njëjtë të vajit sa katër hektarë me sojë, sipas Edwardsit.
Ajo që mbetet pas nxjerrjes së vajit nga kokrra e pongamisë është “proteinë e nivelit të lartë që mund të përdoret si përbërës zëvendësues dhe në të gjitha llojet e produkteve me proteina me bazë bimore”, thotë Edwards.
Pongamia thuhet se ofron një alternativë për ata që nuk duan t'i marrin proteinat nga mishi.