Në PE synojnë ta pengojnë rolin e së djathtës ekstreme në zgjerimin e BE-së

Seanca plenare e Parlamentit Evropian të sapozgjedhur, Strasburg 16 korrik 2024.

Java e parë plenare e Parlamentit Evropian me përbërje të re ishte e fokusuar në formimin e strukturave të domosdoshme për funksionimin e këtij institucioni, si dhe për votimin e Ursula von der Leyenit në postin e presidentes së Komisionit Evropian edhe për një mandat pesëvjeçar.

Ndër strukturat kryesore të Parlamentit Evropian, për të cilat u votua që në fillim, janë edhe kryetarja e Parlamentit dhe 14 nënkryetarët.

SHIKONI EDHE: Von der Leyen rizgjidhet në krye të Komisionit Evropian

Në postin e kryetares për një mandat prej dy vjetësh e gjysmë u zgjodh përsëri Roberta Metsola.

Ajo që u vu re si e veçantë në votimin për 14 nënkryetarët, ishte fakti se nuk kaloi asnjë kandidat i grupimeve politike të ekstremit të djathtë.

Këtë epitet në këtë përbërje e kanë grupimi “Patriotët” dhe grupimi i “Suverenistëve“.

Edhe pse grupimi i porsaformuar i “Patriotëve” është i treti për nga madhësia në Parlamentin Evropian, kandidatët e tij për nënkryetarë nuk morën vota të mjaftueshme për t’u zgjedhur.

Në pozitat e nënkryetarëve u zgjodhën kandidatë nga grupimet më të vogla, si: Liberalët, të Gjelbërit dhe të Majtët.

Sipas deputetëve të shumtë në Parlamentin Evropian, ky votim ishte rezultat i një pajtimi joformal mes grupimeve të qendrës dhe partive të moderuara, që të mos lejonin që deputetë nga e djathta ekstreme, të merrnin poste të rëndësishme, përmes të cilave do të mund të kishin rol më të madh në punën e strukturave të Parlamentit Evropian.

SHIKONI EDHE: Konstituohet PE-ja, Metsola rizgjidhet kryetare

Një sjellje e tillë quhet “kordon sanitar” ndaj grupimeve, të cilat konsiderohen populiste dhe destruktive nga partitë tradicionale.

Disa deputetë të Parlamentit Evropian, të cilët ishin edhe në përbërjen e mëparshme, i thanë Radios Evropa e Lirë se do të bëjnë përpjekje që edhe në procesin e zgjerimit të BE-së, të mos lejojnë që grupet e ekstremit të djathtë të marrin role të rëndësishme.

Parlamenti Evropian tashmë ka votuar për komisionet parlamentare dhe për anëtarët që do t’i kenë ato, si dhe për madhësinë e tyre.

Komisioni për politikë të jashtme do të jetë ndër më të mëdhenjtë dhe ai do të merret edhe me çështjet që kanë të bëjnë me Ballkanin Perëndimor dhe me procesin e zgjerimit.

Në këtë komision do të caktohen edhe raportuesit për secilin vend të rajonit të Ballkanit Perëndimor, e pastaj edhe shefat e delegacioneve të përbashkëta ndërparlamentare.

Zakonisht, edhe këto funksione ndahen në bazë të numrit të deputetëve që kanë në Komision partitë e caktuara.

Raportet për vendet e procesit të zgjerimit përpilohen dhe miratohen së pari në Komisionin e politikës së jashtme, e pastaj shkojnë edhe në seancë plenare, ku miratohen në formën e Rezolutës së Parlamentit Evropian.

Ndër kandidatët për kryetar të Komisionit për politikë të jashtme përmendet përsëri David McAlister, deputet i qendrës së djathtë nga Gjermania, i cili në këtë post ishte edhe në mandatin e kaluar.

Për raportuesit dhe shefat e delegacioneve do të votohet në seancën vjeshtore të Parlamentit Evropian.

Me gjithë rritjen e numrit të deputetëve nga e djathta ekstreme, edhe në këtë përbërje të Komisionit për politikë të jashtme, si dhe në përgjithësi në Parlamentin Evropian, ekziston një shumicë e madhe, e cila mbështet procesin e zgjerimit dhe avancimin më të shpejtë të procesit të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

SHIKONI EDHE:

Procesi zgjedhor në BE do të ndikojë edhe në angazhimet në BallkanBE-ja më lehtë do ta përballonte financiarisht integrimin e Ballkanit sesa të UkrainësShpresat e thyera të Ballkanit Perëndimor për integrim në BE

Se forcat që quhen “pro-evropiane” e kanë shumicën e nevojshme në Parlamentin Evropian, u pa edhe gjatë votimit për të konfirmuar Ursula von der Leyenin në postin e presidentes së Komisionit Evropian, sipas marrëveshjes për të cilën ishin pajtuar tri partitë kryesore të qendrës: Partia Popullore Evropiane (EPP), Socialistët dhe Demokratët (S&D) dhe Liberalët.

Së bashku, ata kanë më shumë se 400 deputetë nga 720 sa ka Parlamenti Evropian në total.

Përpos këtyre partive, mbështetje për procesin e zgjerimit ka edhe nga grupimi i të Gjelbërve e madje edhe nga shumica e grupit të konservatorëve dhe reformistëve, të cilët, ndonëse nuk e duan forcimin e BE-së përmes kompetencave të reja, e mbështesin zgjerimin.

Kur është fjala tek e djathta ekstreme, në mesin e saj ka shumë dallime sa i përket zgjerimit.

Një pjesë - sidomos ata që vijnë nga Franca dhe Holanda - e sheh zgjerimin e BE-së si një proces që paraqet rrezik nga migrimi nga vendet e varfra, që do të dëmtonte tregun e punës në BE.

Por, ka mes tyre edhe parti nga Hungaria dhe vendet tjera, të cilat i mbështesin disa vende kandidate, por jo të gjitha.

SHIKONI EDHE: Në PE nis iniciativa për t’i pezulluar Hungarisë të drejtën e votës

Deputetët nga Partia Fidesz e kryeministrit hungarez, Viktor Orban, që tash ka formuar grupimin “Patriotët”, janë skeptikë ndaj mundësisë së pranimit të Ukrainës në BE, por, në anën tjetër, mbështesin gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Malin e Zi dhe Bosnje e Hercegovinën.

Përveç Kosovës, ato ose janë vende kandidate për anëtarësim, ose janë në negociata për anëtarësim.

Kosova vetëm ka aplikuar për anëtarësim në vitin 2022, por nuk ka marrë ende ndonjë përgjigje.

Edhe në të kaluarën, në debatet për zgjerimin e BE-së, deputetët nga e djathta ekstreme kanë qenë të zëshëm kundër zgjerimit, por nuk kanë pasur ndonjë rol të rëndësishëm apo ndonjë ndikim.

Në Parlamentin Evropian presin që kështu të mbetet edhe në këtë përbërje. Vetë kryetarja e rizgjedhur e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, sikurse dhe presidentja e rizgjedhur e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kanë paralajmëruar se do ta kenë zgjerimin e BE-së prioritet të lartë në punën e tyre, në pesë vjetët e ardhshëm.

Për mbështetjen e këtij procesi ekziston një shumicë e madhe edhe në këtë përbërje të Parlamentit Evropian. Por, fati i procesit mbetet në duart e vendeve anëtare, pasi vendimet merren në Këshill të BE-së, ku secili vend ka të drejtë vetoje.