PDK: Propozimi evropian është i pamjaftueshëm

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Subjekti më i madh opozitar në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), tha se propozimi evropian për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi “është i pamjaftueshëm” dhe nuk arrin qëllimet shtetërore të Kosovës.

Këshilli Drejtues i kësaj partie, gjatë mbledhjes të mbajtur më 17 mars, miratoi një deklaratë prej shtatë pikash, duke argumentuar qëndrimin kundër këtij propozimi.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se vetëm një marrëveshje finale dhe gjithëpërfshirëse, ligjërisht e obligueshme, e përqendruar në njohje reciproke, mundëson “paqe të qëndrueshme dhe avancim konkret të integrimit euro-atlantik të Kosovës”.

“Nga një marrëveshje me njohjen e ndërsjellë në qendër, sot, fatkeqësisht, kryeministri [i Kosovës, Albin] Kurti i ka sjellë vendit një marrëveshje të përkohshme me Asociacionin në qendër”, tha Krasniqi.

PDK ka tha se do të vazhdojë të koordinohet me partnerët ndërkombëtarë që Kosova të jetë “shtet i konsoliduar në arenën ndërkombëtare”.

SHIKONI EDHE: A po nis presioni ndaj opozitës për propozimin evropian?

Edhe partia tjetër opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, ka shprehur kundërshti lidhur me propozimin evropian, duke thënë se ai nuk parasheh njohje të ndërsjellë. Ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i ka ofruar mbështetje këtij propozimi.

Kosova dhe Serbia e kanë pranuar propozimin evropian më 27 shkurt dhe të shtunën, më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, do të diskutojnë për planin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

Dokumenti prej 11 nenesh – që është bërë publik nga Bashkimi Evropian – nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë, që Qeveria e Kosovës ka thënë se duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje eventuale për normalizim të raporteve.

Megjithatë, në nenin 2 të propozimit përmendet që palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Propozimi, po ashtu, përfshin zotimin e palëve për t'i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

SHIKONI EDHE:

Modelet e përmendura për AsociacioninTeksti i propozimit evropian

Propozimi evropian shihet si një marrëveshje e përkohshme e cila do të çojë në atë përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Edhe pse nuk e parasheh njohjen reciproke, diplomatët perëndimorë thonë se është marrëveshja më e mirë që aktualisht mund të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë.