Patriarku serb thotë se Kisha s’mund të jetë pjesë e negociatave për Kosovën

Kreu i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije. Fotografi nga arkivi.

Kreu i Kishës Ortodokse Serbe, patriarku Porfirije, tha se Kisha “nuk mund të jetë pjesë e asnjë negociate politike apo marrëveshjeje” për Kosovën.

Në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohen nga Bashkimi Evropian, statusi i Kishës Ortodokse Serbe është pjesë e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, që palët e arritën më 2023.

Në këtë marrëveshje thuhet se palët duhet “të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë një nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane”.

“Respektimi dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe posaçërisht liritë fetare paraqesin vlera universale të njerëzimit sepse këto të drejta u përkasin të gjithëve dhe duhet t’i garantohen Kishës Serbe dhe besimtarëve”, tha kreu i Kishës Ortodokse Serbe më 26 mars.

SHIKONI EDHE: Çfarë është Marrëveshja Bazë?

Sipas tij, komuniteti ndërkombëtar, i përfaqësuar nga Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, është i obliguar që të sigurojë respektimin e plotë të të drejtave të njeriut dhe të të drejtave fetare në Kosovë. Porfirije tha se Kisha Ortodokse Serbe nuk dëshiron që të ketë të drejta të posaçme askund, përfshirë edhe në Kosovë.

“Përveç kësaj, të drejtat universale të njeriut dhe të fesë nuk mund të trajtohen si ‘të drejta të veçanta’ vetëm për Kishën Ortodokse Serbe në ‘Kosovë dhe Metohi’. Mbrojtja e trashëgimisë kulturore e Kishës Serbe dhe e njerëzve, të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme që kanë vlera kulturore, shpirtërore dhe historike, nuk mund të shihet vetëm si një rast i ‘të drejtave të veçanta’ për Kishën Ortodokse Serbe”, tha patriarku serb.

Patriarku serb ftoi shqiptarët në Kosovë për dialog.

Sikurse shteti i Serbisë, edhe Kisha Ortodokse Serbe nuk e pranon pavarësinë e Kosovës.