Kievi pastrohet pas sulmeve 'masive' të Rusisë

Banorët e Kievit duke shikuar një ndërtesë shumëkatëshe që u dëmtua nga një sulm vdekjeprurës me raketa ruse në kryeqytetin ukrainas, më 10 tetor. Presidenti rus, Vladimir Putin, u mburr për një "sulm masiv" në të gjithë Ukrainën si hakmarrje për atë që ai e quajti sulm "terrorist" në urën që lidh Rusinë me Krimenë, territor të cilin Moska e ka aneksuar nga Ukraina në vitin 2014.

Punëtorët në Kiev riparuan shpejt një kryqëzim të dëmtuar rrugësh që ishte cak i sulmit me raketa që vrau dhe plagosi civilë. Sulmi i 10 tetorit ndodhi dy ditë pasi një shpërthim bëri që një pjesë e urës së Krimesë të rrëzohej në ngushticën e Kerçit dhe dëmtoi një pjesë të linjës hekurudhore.

Dëmtimi i urës së Krimesë u pa si një goditje poshtëruese për presidentin rus, Vladimir Putin. Në shenjë hakmarrjeje, Putini lëshoi një breshëri raketash në të gjithë Ukrainën më 10 tetor, duke vrarë të paktën 19 njerëz dhe duke dëmtuar qytete nga Lvivi në perëndim deri në Kiev në Ukrainën qendrore dhe Harkiv, në lindje.

Pas muajsh qetësie relative në kryeqytetin ukrainas, sulmet e 10 tetorit në Kiev shënuan një përshkallëzim të rëndësishëm. Në një deklaratë, udhëheqësit e vendeve të G7-s thanë se do të kërkonin llogari nga Putini. "Ne i dënojmë këto sulme me termat më të ashpër të mundshëm dhe kujtojmë se sulmet, pa dallim, ndaj popullatave të pafajshme civile përbëjnë një krim lufte", thanë ata.

Një djalë i vogël duke shikuar një krater ku goditi një raketë pranë një sheshi lojërash në Parkun Taras Shevchenko në Kiev. Njerëzit më vonë vendosën lule në krater në shenjë nderimi për të vrarët gjatë sulmit.

Një fëmijë ukrainas është kthyer në këndin e lojërave në Parkun Taras Shevchenko një ditë pas sulmit vdekjeprurës.

Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, tha se më shumë se 45 ndërtesa banimi u goditën në kryeqytetin ukrainas, bashkë me "infrastrukturën kritike".

Ndërtesat e banimit (në foto), si dhe disa nga institucionet kulturore e historike të Kievit, si Filarmonia Kombëtare, Muzeu Khanenko dhe Muzeu Taras Shevchenko, u dëmtuan gjatë sulmit me raketa.

Nëpërmjet një fletushke kërkohet ndihmë për të gjetur një mace që u zhduk gjatë sulmit me raketa. “Emma” u gjet më vonë.

 

Punëtorët duke hequr mbeturinat e një rakete ruse që nuk arriti të shkatërronte Urën e Xhamit të Kievit.

Një video e sulmit pranë urës është bërë virale në mediat sociale, duke u bërë një simbol i forcës dhe qëndrueshmërisë së Ukrainës.

Në vazhdën e sulmeve me raketa ruse që morën të paktën 19 jetë në të gjithë Ukrainën më 10 tetor, banorët e Kievit pastrojnë mbeturinat ndërsa përgatiten për të tjera sulme. (Përgatiti: Syzanë Paçarizi)