Borrell: Partneriteti i Kinës me Rusinë ka kufij

Kukullat ruse babushka me figurat e presidentit rus Vladimir Putin (majtas) dhe Xi Jinping (djathtas)

Partneriteti i Kinës me Rusinë ka kufij dhe Evropa duhet të mirëpresë të gjitha përpjekjet e Pekinit për t’u distancuar nga lufta e Moskës në Ukrainë, tha të premten përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Sigurin, Josep Borrell.

Deklaratat e Borrellit pasuan samitin e kësaj javendërmjet presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit kinez Xi Jinping. Të dy udhëheqësit deklaruan një partneritet “të pakufishëm” në shkurt të vitit 2022, vetëm disa ditë para se Rusia të pushtonte Ukrainën.

SHIKONI EDHE: Marrëveshjet e reja Kinë-Rusi sjellin “epokë të re” në partneritet

Megjithatë, Borrell tha se Kina, ndonëse ka krijuar lidhje të ngushta ekonomike dhe diplomatike me Rusinë, ajo nuk ka krijuar një aleancë ushtarake me Moskën dhe nuk ka dërguar armë për të ndihmuar Rusinë në luftën e saj në Ukrainë.

“Duket se kjo miqësi e pakufizuar ka disa kufij”, u tha Borrell gazetarëve në Bruksel.

“Kina, për ne, nuk ka kaluar asnjë vijë të kuqe”, shtoi ai.

Borrell tha gjithashtu se së shpejti do të vizitojë Kinën, megjithëse data e udhëtimit ende nuk është caktuar.

Me këtë, Borrell do të jetë në raadhën e atyre zyrtarëve evropian, të cilët, së shpejti, do ta vizitojnë Kinën.

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez planifikon të vizitojë Pekinin javën e ardhshme, ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të udhëtojnë së bashku javën e ardhshme.

Borrell tha se propozimet e Pekinit për t’i dhënë fund luftës tregojnë se ai nuk dëshiron të rreshtohet plotësisht me Rusinë dhe se BE-ja duhet ta mirëpresë këtë, madje edhe nëse zyrtarët perëndimorë e kanë bërë të qartë se nuk e shohin iniciativën e Pekinit si një plan paqeje të plotë.

Ai tha se Kina dëshiron të luajë rolin e “lehtësuesit” dhe jo të ndërmjetësuesit.

SHIKONI EDHE: Shefi i NATO-s: Kina duhet të dëgjojë Ukrainën rreth planit për paqe

Meqenëse Rusia mirëpriti propozimet e Kinës, “Kina po shfaqet në një rol që unë mendoj se ne duhet ta shtyjmë”, tha Borrell.

Plani 12-pikësh i Kinës është refuzuar në Perëndim, sepse nuk i bën thirrje në mënyrë eksplicite Rusisë të tërhiqet nga Ukraina dhe interpretohet si një përpjekje për të ngrirë konfliktin sipas kushteve të Moskës.

Xi dhe Putin nënshkruan një deklaratë të përbashkët pas një takimi kyç në Kremlin, më 21 mars, duke theksuar “rolin pozitiv” të Kinës dhe “pozitën objektive, të paanshme” të saj ndaj pushtimit rus të Ukrainës.

SHIKONI EDHE: Çfarë u arrit në takimin Xi-Putin në Moskë?

Të dy udhëheqësit prezantuan një pako marrëveshjesh që detajojnë planet për lidhjet e ardhshme ekonomike dhe bashkëpunimin më të ngushtë midis mediave shtetërore të dy vendeve, ndërsa kritikuan Perëndimin duke sulmuar Shtetet e Bashkuara, NATO-n dhe paktin e ri të mbrojtjes AUKUS të përbërë nga Australia, Britania e Madhe dhe SHBA-ja.

Bisedimet, megjithatë, nuk rezultuan me marrëveshje vendimtare për çështjet kryesore ekonomike që Moskës i duhen për ta ndihmuar atë të përballojë presionin në rritje të sanksioneve perëndimore.