Talibanët ndalojnë partitë politike pasi i shpallin joislamike

Një pjesëtar i talibanëve në Kabul. Fotografi ilustruese.

Sundimtarët e linjës së ashpër të Afganistanit, talibanët, kanë ndaluar të gjitha partitë politike, duke thënë se ato “nuk kanë asnjë justifikim” sipas Ligjit islamik të Sheriatit.

“Partitë politike janë të ndaluara krejtësisht. Ne nuk do të lejojmë asnjë parti politike që të operojë në shtet”, tha Abdul Hakim Sharaee, ministri de-facto taliban i Drejtësisë.

Ai këtë njoftim e bëri më 16 gusht, një ditë pasi talibanët shënuan dyvjetorin e kthimit në pushtet të tyre dhe tërheqjes së trupave ndërkombëtare nga shteti.

“Partitë politike nuk kanë justifikim në Ligjin islamik të Sheriatit dhe ato nuk janë në interesin më të mirë të shtetit tonë”, shtoi ai, duke theksuar se partitë politike kanë qenë faktori kyç që kanë shkaktuar trazira në Afganistan për dekada të tëra.

SHIKONI EDHE: Talibanët afganë festojnë dyvjetorin e kthimit në pushtet

Kjo ndalesë është e fundit në mesin e kufizimeve të vendosura nga talibanët ndaj aktiviteteve politike, pasi dhjetëra parti politike ishin regjistruar kur militantët u rrëzuan nga pushteti më 2001.

Që kur u kthyen në pushtet më 2021, militantët ultra-konservatorë kanë monopolizuar pushtetin, duke ua dhënë të gjitha postet e larta qeveritare liderëve talibanë, përderisa po shkatërrojnë institucionet demokratike.

Asnjë shtet deri më tani nuk e ka njohur zyrtarisht administratën e talibanëve, teksa militantët që nga rikthimi në pushtet kanë vendosur kufizime të ashpra në liritë bazike, nga ndalimi i vajzave dhe grave që të shkollohen e deri te shpallja e muzikës si e paligjshme.