Partitë parlamentare të Kosovës i kanë dënuar, siç e kanë quajtur ato, aktin e rrëmbimit të tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga forcat serbe në veri të vendit, duke e cilësuar këtë veprim si agresion kundër Kosovës.
Sipas tyre, pas këtij akti, nuk mund të thuhet se në Kosovë është gjendje e zakonshme.
Ngjarja, sipas autoriteteve të Kosovës, ka ndodhur mesditën e së mërkurës, kur dyshohet se tre policë kufitarë të Kosovës, janë rrëmbyer nga forcat serbe, gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës.
Vendi Tresave/Bare gjendet në komunën e Leposaviqit, brenda territorit të Kosovës.
Shefja e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, ka thënë se ngjarjet e fundit kanë preokupuar të gjithë deputetët.
“Në veçanti, me aktin barbar të Serbisë, e cila edhe një herë e dëshmoi brutalitetin, agresivitetin, e natyrisht edhe qëllimin dhe synimin e vazhdueshëm që ta destabilizojë sigurinë në Ballkan, duke kidnapuar tre policë kufitar të Republikës së Kosovës”, ka thënë Kusari – Lila.
Sipas saj saj, faktet e mbledhura nga vendi i ngjarjes tregojnë se policët kufitarë kanë qenë në territorin e Kosovës, kur, sipas saj, ata janë rrëmbyer nga forcat serbe.
Partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), i kanë bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të raportojë në Kuvendin e Kosovës lidhur me rastin dhe hapat e ndërmarrë nga Qeveria.
“Në këtë moment, përtej qëndrimeve dhe vlerësimeve të kujtdo , prioritet duhet të jetë kthimi i policëve tanë në Kosovë dhe pranë familjeve të tyre, duke garantuar shëndetin dhe sigurinë e tyre”, ka thënë kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
“Ky është një veprim agresioni, i dënueshëm politikisht dhe ndërkombëtarisht dhe është një veprim, i cili, në asnjë rrethanë, nuk duhet të lejohet të përsëritet. Në emër të LDK-së, kërkoj nga Qeveria e Kosovës dhe nga partnerët ndërkombëtarë, që të bëjnë të pamundurën, që për një kohë sa më të shkurtër të bëhet kthimi i zyrtarëve policorë në Republikën e Kosovës dhe marrja e masave dhe veprimeve tjera të duhura”, ka thënë shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.
SHIKONI EDHE: KFOR: Jemi në kontakt me autoritetet serbe për rastin e tre policëve të KosovësShefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kërkuar që policët kosovarë të lirohen menjëherë.
“Ky Kuvend, në ballafaqim me Serbinë, nuk e njeh qasjen pushtet dhe opozitë. Ajo që ka ndodhur dje, ka qenë provokim i drejtpërdrejtë, dhe në të njëjtën kohë është një akt, i cili duhet të dënohet nga ky kuvend”, ka thënë Tahiri.
Mëngjesin e 15 qershorit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur takim me Këshillin e Sigurisë Kombëtare, në të cilin kanë marrë pjesë autoritetet e institucioneve të sigurisë, drejtësisë dhe financave të Kosovës.
Në një konferencë për media, kryeministri Kurti ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të zyrtarëve policorë, për të cilët Prishtina pohon se janë rrëmbyer nga forcat policore të Serbisë, në brendi të territorit të Kosovës.
Kurti i ka bërë thirrje faktorit ndërkombëtar për të dënuar veprimet e Serbisë, duke thënë se “heshtja e tyre nuk i kontribuon shtensionimit të situatës”.
“Ajo çfarë është e çuditshme, është heshtja dhe toleranca e faktorëve ndërkombëtarë ndaj veprimeve të Serbisë, e cila vazhdimisht kërkon pretekste për përshkallëzim dhe destabilizim. E kur nuk ka, atëherë është e gatshme dhe sigurisht e aftë, që t’i krijojë ato. Rrëmbimi i tre policëve të Kosovës është dëshmia më e qartë dhe më e freskët për këto”, ka thënë Kurti.
Autoritetet e Kosovës kanë njoftuar se i kanë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë dhe se “synimi është siguria”, e cila “fillon te kufijtë".
SHIKONI EDHE: Kurti: Kemi shtrënguar kontrollet kufitare me SerbinëPresidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar një ditë më parë se asnjë ushtar dhe asnjë polic nga Serbia nuk ka hyrë përtej kufirit me Kosovën.
Sipas tij, Policia e Serbisë i ka arrestuar policët e Kosovës 1.8 kilometra larg kufirit.
Policia e Kosovës e ka cilësuar këtë akt si “kidnapim klasik të organizuar” brenda territorit të Kosovës.