Partitë nisin bisedimet për fatin e Prokurorisë Speciale

Prokurorja Speciale, Katica Janeva gjatë një konference për media.

Fati i Prokurorisë Speciale në Maqedoninë e Veriut mbetet të përcaktohet nga ujdia që do të arrijnë grupet e punës së dy partive kryesore maqedonase, Lidhjes Social Demokrate (LSDM) dhe VMRO-DPMNE-sësi dhe partisë shqiptare në pushtet, Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).Qëndrimet e këtyre partive duhet të inkorporohen në ligjin e ri që rregullon punën e Prokurorisë së Përgjithshme Publike.

Ndërkohë që shumica parlamentare, e cila kryesohet nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev mbetet në qëndrimin se ligji i ri i Prokurorisë Publike, që do të definojë edhe të ardhmen e Prokurorisë Speciale, të kalojë para raportit të Komisionit Evropian, duke i vendosur shenjën evropiane, me qëllim që të dërgohet në Parlament me procedurë të përshpejtuar.

Por, partia opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE, thotë se çështja është e ndjeshme dhe se ligji duhet të miratohet pas një debati publik, ku do të përfshiheshin vërejtjet dhe sugjerimet e ekspertëve.

Dallimi kryesor ndërmjet dy partive politike maqedonase është kërkesa e liderit të opozitës maqedonase që prokurorja e Prokurorisë Speciale, Katica Janeva dhe ekipi i saj të largohen dhe ky institucion të drejtohet nga ndonjë prokuror i huaj, pasi sipas lideri të VMRO-së, Hristijan Mickovski, prokurorja Janeva nuk punon në favor të drejtësisë, por në favor të LSDM-së së kryeministrit Zaev.

LSDM-ja, në anën tjetër ka shprehur përkrahje për prokuroren Janeva dhe ekipin e saj, duke thënë se ata kanë kryer me nder punën.

SHIKONI EDHE: Qytetarët e Maqedonisë Veriore nuk kanë besim në gjyqësor

Ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Dane Iliev thotë se politikisht është jokorrekte që të ndërrohet i tërë ekipi i Prokurorisë Speciale.

“Të gjitha ligjet që miratohen janë rezultat i një pazari politik. Asnjëherë ato nuk zbatohen plotësisht dhe në këtë mënyrë nuk përmbushin qëllimin për të cilin miratohen, përkatësisht të vënë në funksion shtetin ligjor”, thotë iliev.

Ndërkaq, Besa Kadriu, ligjëruese në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, për Radion Evropa e Lirë thotë se partitë duhet të arrijnë marrëveshje që të përmbushet një nga kërkesat kyçe sa i përket përcaktimit të statusit të Prokurorisë Speciale Publike.

“Gjithsesi, të gjitha tendencat duhet të jenë vetëm vazhdimësi, jo vetëm e mekanizmave të funksionimit institucional të cilët e ndihmojë funksionimin e sistemit të gjyqësisë së pavarur, por edhe formave të tjera të tjera të përafrimit të praktikave ndërkombëtare, të cilat kanë përvoja të jashtëzakonshme në drejtim të funksionimit të sistemit të drejtësisë, i cili është shumë larg politikës ditore dhe influencës politike”, thotë Kadriu.

Nga ana tjetër, Dane Iliev thotë se pazari politik ndërmjet partive politike, mund të dëmtojë dhe vendimin e Komisionit Evropian rreth përcaktimit të datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

“Nëse preket në organizmin e punës së Prokurorisë Speciale, dëmi do të jetë i parikuperueshëm”, thekson Iliev.

Megjithatë, përfaqësuesit e partive politike janë zotuar se do të jenë konstruktiv në përafrimin e qëndrimeve dhe se së shpejti do të përcaktohet fati i funksionimit të Prokurorisë Speciale.