Partitë e koalicionit qeveritar në Maqedoninë e Veriut presin që pas dështimit të mocionit të opozitës për mosbesimin e qeverisë, të rritet shumica parlamentare me deputetë të partive opozitare.
Artan Grubi, zëvendëskryeministër nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim, tha më 13 nëntor se qeveria po negocion me të gjitha partitë për forcimin e shumicës parlamentare, ndërsa u shpreh i bindur se qeveria është stabile në funksionimin e saj.
“Ne jemi në kontakt me të gjitha partitë, jo vetëm me Alternativën, por edhe me Lëvizjen Besa, Aleancën për Shqiptarët dhe VMRO-DPMNE-në. Nuk kemi absolutisht asnjë kontakt vetëm me Partinë 'E Majta' dhe nuk do të kemi. Kjo do të thotë se zgjidhjen e shohim te të gjithë ata deputetë, te të gjitha partitë politike që e mbështesin Maqedoninë evropiane. Ata duhet të vijnë në shumicën parlamentare dhe ta mbështesin këtë qeveri”, ka deklaruar Grubi.
Ai mohoi që BDI-ja dhe Lidhja Social Demokrate e kryeministrit Zoran Zaev, po bëjnë presion ndaj deputetëve të partive tjera, por tha se shumë deputetë të opozitës ishin manipuluar gjatë nënshkrimit të listës për mocionin e mosbesimit.
SHIKONI EDHE: Çka pas dështimit të mocionit të mosbesimit?Më 11 nëntor, një nismë e partive opozitare për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Zaev dështoi që të votohej, pasi një deputet mungoi në seancë, gjë që bëri që opozita të mos kishte 61 vota për rrëzimin e ekzekutivit.
Ndërkohë, edhe LSDM-ja tha të dielën se është duke punuar për rritjen e shumicës si rrugëdalje nga ngërçi politik dhe mbetet e hapur për komunikim me të gjitha partitë.
“Një nga ato proceset për stabilizimin e shtetit është rritja e shumicës dhe stabilizimi i shumicës parlamentare, ditën e votimit kur donin të votonin mosbesimin, u kuptua se opozita nuk e ka atë shumicë parlamentare të shpallur prej kohësh. Si parti politike serioze dhe e përkushtuar ndaj proceseve demokratike në vend, ne mbetemi të hapur për komunikim të mëtejshëm me të gjitha partitë politike, veçanërisht me ato që ndajnë të njëjtat vlera”, ka deklaruar Sllavjanka Petrovksa nga Lidhja Social Demokrate.
Partia maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE, tha se nuk ka hequr dorë nga kërkesa për zgjedhje të shpejta si e vetmja zgjidhje për krizën politike, nëse nuk arrijnë të formojnë një shumicë të re.
VMRO-DPMNE-ja ka hedhur poshtë pretendimet e zëvendëskryeministrit, Artan Grubi duke e akuzuar “për aktrim dhe faktor të rrejshëm të agjendës evropiane".
“Grubi të ndalojë së vepruari si evropian dhe të prezantohet rrejshëm si faktor, sepse e vetmja gjë që ai përfaqëson është zëdhënës i mafisë në pushtet dhe shërbëtor i interesave kriminale për të cilat populli i Maqedonisë nuk mund të ngrejë kokën. Me Artan Grubin dhe BDI-në mund të kidnapohen deputetë dhe ne nuk mund të integrohemi në BE. Kur Artan Grubi flet për vlerat evropiane, Evropa ka kokëdhimbje”, ka reaguar VMRO-DPMNE lidhur me deklaratën e zëvendëskryeministrit, Artan Grubi.
Partitë e tjera shqiptare, Lëvizja Besa ka konfirmuar se pozicioni i saj nuk do të ndryshojë dhe se do të jetë kundër pjesëmarrjes në një qeveri së bashku me BDI-në, sikur që është deklaruar edhe Aleanca për Shqiptarët e cila angazhohet për një shumicë të re parlamentare.
Partia Alternativa, nga ana tjetër po vazhdon konsultimet brenda partisë për pozicionin e saj, por drejtues të lartë të kësaj partie në disa raste kanë përjashtuar mundësinë e kyçjes në qeveri.
Më 11 nëntor Kuvendi i Maqedonisë së Veriut dështoi të votojë për mocionin e mosbesimit, pasi deputeti i Lëvizjes Besa, Kastriot Rexhepi nuk u paraqit në seancë ndërsa përmes rrjeteve sociale kishte deklaruar se nuk dëshironte të votonte për mocionin, pasi siç tha, ka vendosur të rreshtohet përkrah forcave progresive evropiane.
Nga partia e tij, Lëvizja Besa, por edhe parti të tjera u ngritën dyshime mbi rrëmbimin e mundshëm të deputetit Rexhepi, por ai të premten ishte paraqitur në polici ku ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës.