Partitë politike në Maqedoni janë pranë zyrtarizimit të kandidaturave për zgjedhjet lokale të 15 tetorit, në të cilat pritet të zgjidhen drejtuesit e pushteteve vendore në 80 komuna dhe Shkupin, si njësi e veçantë e administrimit lokal, që në përbërjen e tij ka dhjetë komuna urbane.
Nga këto komuna, 16 janë më shumicë shqiptare. Në to, pritet të zhvillohet një garë e fortë elektorale mes partive politike shqiptare, si në Tetovë, Gostivar, Strugë, Kërçovë, Dibër, Çair dhe komuna tjera rurale.
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), që aktualisht drejton shumicën e këtyre komunave, pritet që të zyrtarizojë edhe për një mandat shumicën e kryetarëve aktual, si Teuta Arifin në Tetovë, Nevzat Bejtën në Gostivar, Fatmir Deharin në Kërçovë, i cili tashmë ka publikuar kandidaturën, por nuk përjashtohet as mundësia e koalicioneve të mundshme me partitë tjera, përfshirë edhe Lidhjen Social Demokrate, me të cilën është në koalicion qeverisës.
“Për momentin ende nuk janë mbyllur bisedimet, pasi afati është deri më 14 shtator. Ka sinjale për bashkëpunim. Po bisedohet dhe ne si parti jemi të hapur për koalicione, për përforcime të indit tonë, ideologjisë sonë, por për të formalizuar gjitha këto bisedime, duhet të presim edhe pak ditë, por parimisht bisedimet zhvillohen në drejtim pozitiv”, thotë zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.
Partitë tjera më të mëdha shqiptare, si Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët, pritet të jenë konkurrentët më të fortë të BDI-së dhe që të hyjnë në garë sa më të përgatitura, kanë shqyrtuar mundësinë e një koalicioni të mundshëm.
“Në këto zgjedhje do të garojmë individualisht në rrethin e parë, por me mundësi për bashkëpunim në kuadër të degëve që të mund të arrihet ndoshta një bashkëpunim edhe në raundin e parë. Ekziston vullneti i mirë që për raundin e dytë të mbështesim njëri-tjetrin, ndërsa me partitë tjera, deri më tani nuk kemi pasur bisedime konkrete”, thotë Shaban Zendeli nga Lëvizja Besa.
Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët, njëherësh ministër i Shëndetësisë, thotë se bashkëpunimi do të jetë i mirëseardhur, para se gjithash mes partive shqiptare, meqë, sipas tij, ende nuk është koha për një gjë të tillë edhe me partitë maqedonase.
“Ne e kemi lënë që për bashkëpunimin në nivelin lokal të vendosin partitë shqiptare. Kjo vlen edhe për bashkëpunimin me Lëvizjen Besa, por edhe me partitë tjera pasi mendojmë se ende është koha kur shqiptarët duhet të prezantohen nga partitë shqiptare, e jo ato maqedonase”, ka deklaruar Taravari.
Por, nga LSDM-ja e cila prezanton konceptin qytetar, thonë se në garë do të hyjnë edhe me kandidatë shqiptarë.
“Si parti shumëetnike ne do të nominojmë kandidatë nga të gjitha bashkësitë etnike. Ne në Haraçinë të Shkupit do të kemi kandidate femër shqiptare për kryetare të Komunës. Bashkëpunim do të kemi edhe me partitë tjera të koalicionit, varësisht konceptit dhe programeve partiake për të mirën e shtetit”.
“Pushteti lokal është shumë i rëndësishëm për jetën e përditshme të qytetarëve, andaj edhe besoj se do të gjejmë partneritetin më të mirë të mundshëm”, ka deklaruar Zoran Zaev, kryetari i LSDM-së dhe kryeministër i Maqedonisë. Partia e tij në zgjedhjet e fundit parlamentare ka fituar një numër të madh të votave të shqiptarëve.
VMRO-ja e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski ka zyrtarizuar kandidatët në më shumë komuna. Kjo parti aktualisht udhëheq në mbi 50 komuna, por pas ndërrimit të pushtetit qendror pritet betejë e ashpër me LSDM-në në pushtet. Gara kryesore do të zhvillohet në Shkup, por edhe në qytete tjera më të mëdha si në Kumanovë, Manastir, Prilep, Ohër, Strumicë e komuna të tjera.