Përmes një referendumi të iniciuar nga ish-kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është “shkarkuar” nga posti i kryetarit të këtij subjekti politik në Shqipëri, Lulzim Basha.
“Ky është votimi më i shkëlqyeri në historinë e revolucionit demokratik. Ju e shihni që ky revolucion nuk ka të ndalur. Nuk ka forcë në botë që mund ta ndalojë këtë revolucion”, tha Sali Berisha për mediat në Tiranë.
Sipas iniciuesve të këtij referendumi, për largimin e Bashës nga kreu i PD-së votuan 43,385 anëtarë të kësaj partie.
Berisha, gjatë adresimit para mediave, falënderoi anëtarësim për daljen në referendum. Ai tha se të gjithë anëtarët votuan “të lirë” për këtë proces.
Ai u bëri thirrje mbështetësve të tij për një "protestë mbarëkombëtare" të hënën në kundërshtim të ardhjes së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Tiranë.
Berisha tha se iniciativa “Ballkani i Hapur”, "është kërcënim kombëtar".
Basha: PD nuk i dorëzohet fatit të një njeriu
Më herët gjatë ditës, në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, Partia Demokratike mbajti Kuvendin Kombëtar të thirrur nga Lulzim Basha.
“Partia Demokratike nuk do t’i dorëzohet fatit të një personi. Partia Demokratike do të jetë e gjithë demokratëve, nga themeluesit te më i riu apo më e reja mes nesh”, tha Basha gjatë kuvendit.
Ai shtoi se kjo parti duhet të fokusohet në opozitarizëm, në mënyrë që të përballet me Qeverinë e udhëhequr nga Edi Rama.
“Partia Demokratike është e vendosur të përballet me këtë regjim që e do Shqipërinë pa të drejta, pa liri, pa të vërteta. Që shkel ligjet, pasurohet duke vrarë shëndetin dhe ekonominë, grabit buxhetin e shqiptarëve, shantazhon dhe blen drejtësinë dhe median. Askush nuk mund të pretendojë se nuk e sheh dhe nuk e kupton”, u shpreh Basha.
Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike i organizuar nga Lulzim Basha ka miratuar rezolutën e propozuar nga Këshilli Kombëtar që nuk njeh Kuvendin e 11 dhjetorit të thirrur nga Sali Berisha. Ky Kuvend miratoi edhe ndalimi në funksione hierarkike të personave të shpallur 'non grata' si edhe atyre që kanë pasur pozicione të ndryshme gjatë periudhës së komunizmit në Shqipëri.
Ndërkaq, psi kishte votuar në referendum, Berisha kishte thënë se nuk ka prova kundër tij për përfshirje në korrupsion, ashtu siç kishte thënë Departamenti amerikan i Shtetit, kur e shpalli atë 'person non grata' (person të padëshiruar).
“Ftoj Departamentin amerikan të Shtetit, çdo qeveri, çdo individ të paraqesë çdo fakt, dokument, provë që ka kundër Sali Berishës, por u siguroj se sikundër deri sot, edhe 100 vjet të tjera do të mbeten duarbosh”, deklaroi ish-kryeministri Sali Berisha pas votimit për shkarkimin e Lulzim Bashës nga kreu i PD-së.
SHIKONI EDHE: Berisha “rikthehet” në Partinë Demokratike për të shkarkuar BashënMbajtja e referendumit të anëtarësisë së PD-së, proces i iniciuar nga Berisha vjen gati pas tre muajsh akuzash e kundërakuzash që krerët dhe strukturat kyçe partiake i bënë ndaj njëri-tjetrit.
Zhvillimet e 18 dhjetorit u paraprin nga tubime disa javësh që mblodhën mijëra simpatizantë të ish-kryeministrit dhe themeluesit të PD-së, Sali Berisha, në përpjekje për t’u rikthyer në skenën politike pas shpalljes si person non grata (person i padëshiruar) nga administrate aktuale amerikane.
Këto tubime kulmuan me një miting në Tiranë, të mbajtur një javë më parë, prej nga Berisha tha se synon shkarkimin e Bashës dhe rikthimin e tij në parti, përkundër paralajmërimeve të shumta të zyrtarëve amerikanë që një veprim i tillë do të acaronte marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me PD-në dhe Shqipërinë.
Këtë iniciativë të vetën dhe të një grupi të madh të PD-së, Berisha e ka quajtur “Komisioni për Rithemelimin e Partisë”, për të cilin ka thënë se është jetik për të ardhmen e Shqipërisë.
SHIKONI EDHE: DASH: Sali Berishës i ndalohet hyrja në SHBABasha në përgjigje ndaj Berishës, ka thënë se PD-ja ka rrëzuar “kultin e individit”.
Përplasjet brenda Partisë Demokratike filluan qysh në muajin shtator kur kreu aktual i kësaj partie, Lulzim Basha u rreshtua në mbështetje të kërkesave të administratës amerikane për ta larguar Berishën nga grupi parlamentar i partisë.
Më pas Berisha paditi Sekretarin amerikan të shtetit, Antony Blinken në një gjykatë në Francë për t’i kontestuar akuzat për korrupsion që përbëjnë bazën e veprimit amerikan për ta shpallur atë person të padëshirueshëm.
Berisha vazhdoi me akuza ndaj administratës amerikane duke theksuar se nuk do të lejojë që zyrtarët amerikanë të sillen si guvernatorë në Shqipëri.
Në maj, Departamenti amerikan i Shtetit i ndaloi hyrjen në territorin amerikan Berishës dhe anëtarëve të familjes së tij të ngushtë, për shkak të përfshirjes së tij në, siç është thënë korrupsion të gjerë.