Parlamenti rumun aprovon dhurimin e një kundërajrori Patriot Ukrainës

Një kundërajror Patriot i forcave rumune gjatë një stërvitjeje ushtarake në Konstanta, afër Detit të Zi, nëntor 2023.

Ligjvënësit rumunë e kaluar të mërkurën një projektligj për dhurimin e një sistemi mbrojtës ajror, Patriot, Ukrainës.

Ministria e Mbrojtjes e Rumanisë thotë se kjo ndihmë rrit përpjekjet për ta mbështetur Kievin, si dhe forcon marrëdhëniet e Bukureshtit me Shtetet e Bashkuara.

Projektligji mori 245 vota, 29 kundër dhe një abstenim.

Rumania, anëtare e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s, ndan një kufi 649 kilometra të gjatë me Ukrainën dhe në territorin e saj shpesh kanë rënë copëza të dronëve rusë prej se Moska e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës mbi dy vjet më parë.

Tani nevojitet nënshkrimi i presidentit Klaus Iohannis dhe një vendim për zbatim nga Qeveria para se kundërajrori Patriot t’i dërgohet Ukrainës.

Në projektligjin e sjellë nga Ministria e Mbrojtjes e Rumanisë thuhet se “kjo do të kontribuojë në forcimin e pozitës së Rumanisë si ofrues i sigurisë rajonale dhe do t’i thellojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara”.

SHIKONI EDHE: Zelensky u lutet sërish aleatëve të Ukrainës për kundërajrorë dhe furnizim të shpejtë me armë

Rumania i ka dhënë ndihmë ushtarake Ukrainës në luftën e saj kundër Rusisë, por nuk ka pranuar të tregojë shkallën e mbështetjes, për shkaqe sigurie.

Ajo është zotuar edhe t’i stërvitë pilotët ukrainas për përdorimin e avionëve luftarakë F-16, në një qendër rajonale të përuruar në nëntor 2023.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.