Parlamenti i Maqedonisë së V. shton dinamikën e punës në fundvit  

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut.

Tre ditë para përfundimit të vitit 2020, Parlamenti i Maqedonisë së Veriut ka caktuar mbajtjen e katër seancave plenare dhe pesë mbledhje të komisioneve parlamentare.

Gjatë së hënës, më 28 dhjetor, ligjvënësit maqedonas diskutuan për shumë ligje, gjatë një mbledhjeje të Komisionit për politikë të jashtme, mbrojtje dhe siguri.

Ndërkaq, janë edhe 13 ligje të cilat presin që të dalin në seanca plenare, të cilat është thënë se do të votohen me procedurë të përshpejtuar. Në mesin e legjislacioneve që presin miratimin janë edhe marrëveshjet për marrje të huas nga Banka Botërore, mjete që do të dedikohen për arsimin fillor dhe të mesëm; ndryshimet në Ligjin për shërbime audio-vizuele; ligji për Agjencinë Kundër Zbulimit dhe ligje të tjera.

Shumica parlamentare ka thënë se dinamikën e punës në parlament e caktojnë kryetarët e komisioneve parlamentare.

“Sipas asaj se si i konvenojnë mbledhjet kryetarëve të komisioneve parlamentare, në atë formë zhvillohet edhe dinamika e punës”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Jovan Mitrevski, koordinator i Grupit Parlamentar të Lidhjes Social Demokrate (LSDM), parti që udhëheq me qeverinë.

Në bazë të rregullores së punës së Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, “procedura e shkurtuar për miratimin e ligjit, mund të zbatohet me kërkesë të propozuesit edhe atë në këto raste: nëse nuk është fjala për ligj të ndërlikuar dhe të vëllimshëm; nëse është anuluar vlefshmëria e ndonjë ligji ose dispozitave të ndonjë ligji, si dhe nëse nuk është fjala për harmonizime të ndërlikuara dhe të mëdha me legjislacionin e BE-së”.

Por, se në çfarë forme do të shqyrtohen ligjet në parlament, vendos parlamenti.

Marko Troshanovski nga Instituti për Demokraci thotë për Radion Evropa e Lirë se tashmë është bërë traditë që parlamenti të rrisë dinamikën e punës në javët e fundit të vitit.

“Praktika e miratimit të më shumë ligjeve në fund të vitit ndodh për dy arsye. E para për shkak se ministritë i dorëzojnë propozim-ligjet te qeveria në fund të vitit dhe nuk ka shumë kohë për debat, andaj ato propozohen për miratim me procedurë të shkurtuar. E dyta, ka të bëjë me atë se gjatë fundvitit vëmendja e opinionit është e shpërqendruar dhe kjo periudhe përdoret për miratimin edhe të atyre ligjeve që thënë kushtimisht, janë më pak populiste dhe në këtë mënyrë kalohen disi më lehtë pa u vënë shumë re nga sytë e opinionit”, thotë Troshanovski.

SHIKONI EDHE: Pushteti dhe opozita me qëndrime të kundërta për punën online të kuvendit

Përderisa, Albert Musliu nga Instituti për Zhvillimin e Demokracisë deklaron për Radion Evropa e Lirë se miratimi i ligjeve u bllokua si rezultat i pamundësisë së sigurimit të votave të nevojshme në parlament, për shkak të shumicës së brishtë.

“Kjo situatë është si rezultat i asaj lojës që e luan opozita me pozitën, duke pamundësuar mospërmbushjen e kuorumit, pasi kishim rastin e deputetëve të shumicës parlamentare të cilët ishin me COVID-19 dhe në periudhën që këta deputetë, për shkak të infeksionit ishin të izoluar, opozita nuk e bënte kuorumin, kështu nuk mund të kalonin më shumë ligje”, thotë Musliu.

Kualiteti i ligjeve dhe mungesa e debateve gjatë miratimit të ligjeve me procedurë të shpejtuar ishte apostrofuar si kritikë edhe në raportin e Komisionit Evropian, për shkak të rritjes së numrit të ligjeve të cilat janë miratuar në parlament me procedurë të përshpejtuar gjatë vitit 2019.

Musliu thotë se është fakt se miratimi i ligjeve me procedurë të përshpejtuar ngushton hapësirën për debate. Megjithatë, ai shton se cilësia e debateve më shumë kërcënohet nga hendeku i komunikimit që është krijuar mes shumicës parlamentare dhe opozitës sesa nga hapësira kohore.

“Unë nuk mendoj se deputetëve tonë u ka munguar koha për debat sesa që mungon vullneti për të realizuar debat në institucionin ligjvënës”, thotë Musliu.

SHIKONI EDHE: Opozita maqedonase synon qeveri të zgjeruar

Nga ana tjetër, Troshanovski vlerëson se duhet bërë ndryshme ligjore, në bazë të të cilave do të hartohet një pasqyrë e qartë se sa ligjet e miratuara ndikojnë në jetën e qytetarëve dhe cila është kostoja e miratimit të ligjeve të caktuara.

“Duhet të bëhen ndryshime ligjore me atë që kush do të jetë propozues i ligjeve apo ndryshimeve të caktuara ligjore, duhet të tregojë se në ç’masë ligji i caktuar do të ndikojnë në aspektet e ndryshme sociale dhe politike gjatë zbatimit të njëjtit”, thotë ai.