Parlamenti i Finlandës mbështet aplikimin për anëtarësim në NATO

Kryeministrja e Finlandës, Sanna Marin, gjatë seancës parlamentare të 17 majit.

Parlamenti i Finlandës ka mbështetur aplikimin për anëtarësim në NATO, duke hequr dorë nga neutraliteti pas shtatë dekadash.

Ligjvënësit më 17 maj votuan në favor të propozimit të prezantuar nga presidenti i këtij shteti, Sauli Niinisto, dhe kryeministrja, Sanna Marin.

Votimi me 188 vota për dhe 8 kundër në Parlamentin finlandez erdhi disa orë pasi shteti fqinj, Suedia, zyrtarisht bëri kërkesë për anëtarësim në aleancën ushtarake perëndimore.

Votimi në Parlament u pa si formalitet edhe pse nuk kërkohej mbështetja e ligjvënësve, por Niniisto dhe Marin kishin argumentuar se ishte e nevojshme që Parlamenti të merrte pjesë në këtë vendim “historik”.

Hapat e ndërmarrë nga Finlanda dhe Suedia janë si kundërpërgjigje ndaj pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës, teksa Moska ka paralajmëruar se po vëzhgon me kujdes këto zhvillime dhe se do të kundërpërgjigjet.

SHIKONI EDHE: Suedia: Anëtarësimi në NATO do të rriste sigurinë në rajonin baltik

Finlanda pritet që pas këtij vendimi të Parlamentit, të veprojë sikurse Suedia, dhe të aplikojë në aleancën e NATO-s, që aktualisht ka 30 anëtarë.

Shtëpia e Bardhë tha më 17 maj se presidenti amerikan, Joe Biden, do të takohet më 19 maj me presidentin finlandez Niinisto, dhe kryeministren e Suedisë, Magdalena Andersson, për të diskutuar për aplikimet, por edhe për çështje të tjera të sigurisë evropiane.

Turqia, vend anëtar i NATO-s, ka shprehur kundërshtim për pranimin e Helsinkit dhe Stokholmit në aleancën ushtarake, duke argumentuar se këto dy shtete nuk kanë pasur qëndrim të fortë ndaj Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, që njihet si organizatë terroriste nga Ankaraja, Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja.