Parlamenti Evropian e ka miratuar të mërkurën planin për rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor, në vlerë prej 6 miliardë eurosh, në seancën e parafundit të saj para zgjedhjeve të reja në BE në qershor.
Kjo është një prej paketave më ambicioze të Bashkimi Evropian për ta ndihmuar rritjen ekonomike dhe reformat në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që ato të ecin përpara më shpejt drejt integrimit të plotë në bllok.
Tani, pasi Parlamenti Evropian e miratoi paketën, ajo duhet të formalizohet edhe nga Këshilli i BE-së. Pas kësaj, mund të fillojnë pagesat e para për përfituesit.
Paketa përmban 6 miliardë euro, prej të cilave vendet e Ballkanit Perëndimor do t’i marrin 2 miliardë euro në formën e parave të gatshme pa kthim, ndërsa 4 miliardë euro në formën e kredive të favorshme.
SHIKONI EDHE: Në BE arrihet marrëveshje për planin 6 miliardësh për rritje ekonomike në BallkanSipas marrëveshjes mes Parlamentit Evropian dhe Këshillit të BE-së, e cila është përfshirë në tekstin e rezolutës së sotme në Parlament, për të përfituar nga kjo ndihmë financiare, vendet e rajonit duhet të përmbushin një varg kriteresh jo edhe aq të lehta.
Në mesin e tyre janë kriteret bazike, të cilat vlejnë njëlloj për të gjitha vendet anëtare. Ato kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, respektimin e parimeve të demokracisë, reformat institucionale dhe ndërmarrjen e hapave të domosdoshëm për të garantuar se mjetet nuk do të keqpërdoren.
Pos kritereve që kanë të bëjnë me reforma dhe sundimin e ligjit, ka edhe kritere të natyrës politike.
Për Kosovën dhe Serbinë parakusht tjetër do të jetë angazhimi konstruktiv në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Vlerësimet se a e përmbushin apo jo këtë kriter Kosova apo Serbia do ta japë Komisioni Evropian, i cili – i ndihmuar nga Shërbimit i Veprimit të Jashtëm Evropian (EEAS), që edhe luan rolin kryesor në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë – do të vlerësojë në fund nëse Kosova dhe Serbia e kanë plotësuar këtë parakusht.
SHIKONI EDHE: Si do ta ndihmojnë Ballkanin 6 miliardë eurot e kushtëzuara të BE-së?Parlamenti Evropian, edhe përmes vendimit të sotëm, kërkon nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor t’i përshtatin politikat e tyre të jashtme me vendimet e BE-së, përfshirë edhe me sanksionet kundër Rusisë. Por, gjatë negociatave me Këshillin ka pasur mospajtime nëse ky duhet të jetë kusht specifik apo jo për pagesat nga plani evropian për rritje ekonomike.
Ka dominuar qëndrimi i Komisionit Evropian dhe një numri më të madh të shteteve anëtare se ky nuk duhet të jetë parakusht specifik, por vetëm qëllim i përgjithshëm.
Vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat do të përfitojnë nga kjo ndihmë, duhet të kenë plane operative për reforma dhe t’i bashkërendojnë ato me Komisionin Evropian. Në vendimet finale për pagesat do të përfshihen Komisioni Evropian dhe vendet anëtare të BE-së përmes Këshillit.
Kërkohet edhe transparencë në procesin e prokurimit dhe hetime serioze në rastet e shkeljes së rregullave, apo në rast mashtrimesh. Për rastet e keqpërdorimeve kërkohet të njoftohen Zyra e Prokurorisë Publike të BE-së, dhe Zyra e BE-së për Parandalimin e Mashtrimeve (OLAFD).
Sipas tekstit të miratuar sot në Parlamentin Evropian, nga përdorimi i mundshëm i këtyre fondeve duhet të përjashtohen entitetet të cilat identifikohen si shkelëse të sanksioneve ndaj Rusisë, apo të cilat ndihmojnë në anashkalimin e tyre.
SHIKONI EDHE: PE kërkon kushte shtesë për përdorimin e mjeteve nga plani i BE-së për BallkaninNë emër të Parlamentit Evropian, negociatat i kishin udhëhequr Toni Picula dhe Karlo Resler, dy eurodeputetë nga Kroacia, njëri nga radhët e Socialistëve dhe Demokratëve e tjetri nga Partitë Popullore Evropiane. Të dy kanë thënë se kjo paketë ka rëndësi te veçantë dhe mund t’i ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor që të krijojnë vende të reja pune, të rrisin ekonominë e tyre dhe të investojnë në programet që janë në përputhje me prioritetet e BE-së, si energjia e pastër dhe zhvillimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
Parlamenti Evropian ka ngulur këmbë që kjo paketë të jetë e veçantë dhe të mos jetë pjesë e Instrumenteve të Para-Anëtarësimit (IPA), të cilat janë fonde të rregullta të BE-së për vendet e përfshira në procesin e zgjerimit.
Këto gjashtë miliardë euro shtesë për vendet e Ballkanit do të jenë për periudhën kohore prej vitit 2024 deri në vitin 2027, sa edhe zgjat korniza aktuale shumëvjeçare financiare e Bashkimit Evropian.
Burimet diplomatike në Bruksel i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se Komisioni Evropian ka ambicie që pagesat e para për vendet e rajonit të Ballkanit nga kjo paketë të bëhet shumë shpejt, qysh në pjesën e dytë të këtij viti. Por, para se kjo të ndodhë duhet të konstatohet se vendet që duan të përfitojnë i kanë përmbushur kushtet për një gjë të tillë.