Franca ka bërë thirrje për “armëpushim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm” në luftën Izrael- Hamas, duke thënë se është shumë e shqetësuar për situatën në Gazë.
Ministrja e Jashtme e Francës Catherine Colonna, ka thënë se në Gazë po vriten shumë civilë.
Ministri i Jashtëm izraelit, Eli Cohen, ka thënë se armëpushimi përbën vendim të gabuar, sepse shërben si dhuratë për Hamasin.
SHIKONI EDHE: Izraeli vazhdon ofensivën në Gazë teksa rriten shqetësimet për qasjen e tij
Hamasi, grup palestinez që udhëheq Gazën, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
Cohen e ka përsëritur që nuk do të ketë armëpushim, por ka thënë se Franca mund të luajë rol të madh në parandalimin e përshkallëzimit të tensioneve rajonale.
Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania, kanë kërkuar, po ashtu, “armëpushim të qëndrueshëm”.
Përmes një artikulli të përbashkët, Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, dhe ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, kanë thënë thirrje për ndalje të luftimeve, por vetëm për kohë afatgjate.
Të martën, të dyja vendet kanë abstenuar kur Kombet e Bashkuara kanë votuar një rezolutë për këtë gjë.
“Ne nuk besojmë që thirrja për një armëpushim të përgjithshëm, me shpresën që do të bëhet i përhershëm, është rruga përpara. A do t’i ndalë Hamasi raketat? A do të lirohen pengjet…. Një armëpushim i paqëndrueshëm, që shpërthen shpejt në dhunë, do ta bëjë edhe më të vështirë ndërtimin e besimit, që nevojitet për paqe”.
Qeveria e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, ka thënë se është duke tentuar të rikthejë të gjitha pengjet që po mbahen në Gazë, andaj duhet rritur presionin ushtarak ndaj Hamasit.
SHIKONI EDHE: Drejtësia - vështirë e arritshme në konfliktin mes Izraelit e Hamasit
Netanyahu ka dhënë shenja se po zhvillohen bisedime, dhe disa media kanë raportuar se Egjipti dhe Katari, janë përfshirë në proces.
Mirëpo Hamasi, ka thënë se nuk do të ketë negociata për lirim të pengjeve, “përveç nëse ndalet agresioni ndaj popullit tonë, njëherë e përgjithmonë”.
Aktualisht janë më shumë se 120 pengje që po mbahen në Gazë.
Më 7 tetor, Hamasi ka kryer sulm në tokën izraelite, duke vrarë 1.200 njerëz dhe duke marrë mbi 240 pengjeve - disa prej të cilave janë këmbyer në nëntor.
Izraeli, më pas, i ka shpallur luftë Hamasit, duke u zotuar se do ta shkatërrojë grupin.
Sipas autoriteteve palestineze, fushata ajrore dhe tokësore e Izraelit në Gazë ka rezultuar me mbi 18.700 viktima, prej nisjes së luftës.