“Rreziku i luftës globale bërthamore, praktikisht, është zhdukur”, tha Mikhail Gorbachev, udhëheqësi i fundit i Bashkimit Sovjetik, në vitin 1991.
Fituesi i Çmimit Nobel për Paqe shprehu këtë siguri, edhe pse Rusia dhe SHBA-ja kishin stoqe masive armësh nukleare.
Tridhjetë vjet më vonë, më 2021, presidenti rus, Vladimir Putin, dhe ai amerikan, Joe Biden, siguruan sërish publikun - “lufta bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të bëhet kurrë”, thanë ata në një samit në Gjenevë.
“Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë treguar se, edhe në periudha tensionesh, janë në gjendje t’i çojnë përpara qëllimet e përbashkëta, për të siguruar parashikueshmëri në sferën strategjike, duke reduktuar rrezikun e konflikteve të armatosura dhe kërcënimin e luftës bërthamore”, thanë Biden dhe Putin përmes një deklarate të përbashkët.
Më pak se një vit më vonë, apo pesë ditë pasi nisi luftën në Ukrainë, Putin tha:
“Zyrtarë të lartë të vendeve kryesore të NATO-s i lejojnë vetes të bëjnë deklarata agresive për vendin tonë. Prandaj, kam urdhëruar ministrin e Mbrojtjes dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm t’i vendosin forcat parandaluese të ushtrisë ruse në gatishmëri të lartë luftarake”.
Forcat parandaluese janë referencë për njësitë që përfshijnë armë bërthamore.
Që nga ajo kohë, Putin bëri deklarata të ngjashme edhe në më shumë se dhjetë raste të tjera - të fundit më 13 mars, kur tha se Rusia është teknikisht gati për luftë bërthamore, nëse sovraniteti i saj kërcënohet.
“Në përgjithësi, nëse flasim për bartësit dhe numrin e kokave bërthamore, jemi pak a shumë të barabartë [me SHBA-në], por tonat janë me moderne. Të gjithë e dinë këtë. Të gjithë ekspertët e dinë këtë”, tha Putin në një intervistë për televizionin rus.
SHIKONI EDHE: Putin: Rusia është e gatshme të përdorë armë bërthamorePutin tha, po ashtu, se nëse SHBA-ja dërgon trupa në Ukrainë ose në territorin rus, një gjë e tillë do ta përshkallëzonte ndjeshëm konfliktin.
Ai ka bërë vazhdimisht paralajmërime publike për rrezikun e konfrontimit bërthamor me Perëndimin, për ta dekurajuar atë nga përfshirja më e madhe në Ukrainë.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i është përgjigjur me bindje: mbështetja për Ukrainën do të vazhdojë “për aq kohë sa ka nevojë”. Këtë e ka përsëritur edhe në fjalimin e fundit drejtuar kombit.
“Mesazhi im për presidentin Putin, të cilin e njoh prej kohësh, është i thjeshtë. Ne nuk do të tërhiqemi. Nuk do të përkulemi. Unë nuk do të përkulem”, ka thënë Biden më 8 mars.
SHIKONI EDHE: Biden: Nuk do të përkulemi para PutinitPo, a është vërtet Putin i gatshëm për të përdorur armë bërthamore?
Në raportin vjetor të vlerësimit të rrezikut, të publikuar më 11 mars, inteligjenca amerikane tha se “pamundësia e Rusisë për të arritur fitore të shpejta dhe vendimtare në fushën e betejës [në Ukrainë], si dhe sulmet e Ukrainës brenda Rusisë, vazhdojnë të nxisin shqetësime se Putin mund të përdorë armë bërthamore”.
Sipas inteligjencës amerikane, Moska i sheh aftësitë e saj bërthamore si të nevojshme edhe për arritjen e qëllimeve të saj në një konflikt të mundshëm me Perëndimin.
Pavel Podvig, ekspert i arsenalit bërthamor të Rusisë dhe studiues në Institutin e OKB-së për Kërkime të Çarmatimit, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se rreziku bërthamor nga Rusia “nuk është domosdoshmërisht i ulët”, por se, tash për tash, duket më shumë si sinjal për SHBA-në dhe aleatët e saj që të mos ndërhyjnë më shumë në luftën në Ukrainë.
“Armët që njerëzit u druhen - si për shembull armët jostrategjike, që mund të përdoren në fushëbetejë - nuk janë dislokuar në ndonjë pozicion të rëndësishëm. Ato vazhdojnë të ruhen në objekte të magazinimit dhe do të duhen disa hapa për t’i sjellë në pikën ku mund të përdoren”, thotë Podvig.
Hera e vetme kur armët bërthamore janë përdorur në një konflikt, ka qenë në fund të Luftës së Dytë Botërore, kur SHBA-ja ka hedhur dy bomba në Japoni. Deri në 220 mijë njerëz besohet të jenë vrarë atëkohë.
Doktrina ushtarake ruse e lejon përdorimin e armëve bërthamore për qëllime të mbrojtjes. Dhe, Putin mund të thirret në të dhe të përdorë armë bërthamore në Ukrainë, në rast se humb gadishullin e aneksuar të Krimesë apo territore të tjera të aneksuara nga Ukraina, thotë për Exposenë Daryl Kimball, drejtor i Shoqatës së Kontrollit të Armëve në SHBA.
“Kjo do t’i sillte Rusisë përfitime afatshkurtra ushtarake, sepse ajo do të dilte në avantazh, por do ta humbiste luftën më të madhe. Sepse, sulmet e tilla do të nënkuptonin përfshirje edhe më të madhe të NATO-s, SHBA-së dhe me gjasë lojtarëve tjerë ndërkombëtarë në anën e Ukrainës”, thotë Kimball.
Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja kanë paralajmëruar se përdorimi eventual i armëve bërthamore nga shteti rus, do të ishte i papranueshëm dhe do të kishte pasoja masive, por nuk i kanë specifikuar ato.
Podvig, nga Instituti i OKB-së për Kërkime të Çarmatimit, thotë se ekziston gjithmonë edhe rreziku i përshkallëzimit të paqëllimshëm.
“Një zinxhir i caktuar ngjarjesh mund t’i çojë udhëheqësit ushtarakë, qoftë në Rusi, qoftë në SHBA, të konstatojnë se nuk kanë zgjedhje tjetër, pos t’i përdorin ato armë për qëllimet që janë dizajnuar. Do të thotë, ta sulmojnë territorin e kundërshtarit - qoftë ai i SHBA-së, apo i Rusisë. Pasojat e një shkëmbimi të tillë bërthamor do të ishin totalisht katastrofike”, thotë Podvig.
Sipas Institutit Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes, me seli në Stokholm (SIPRI), në botë janë aktualisht mbi 12.500 koka bërthamore. Me afro 6.000 të tilla, Rusia ka arsenalin më të madh bërthamor në botë. Pas saj vjen SHBA-ja.
Kimball, nga Shoqata e Kontrollit të Armëve, thotë se të dyja vendet kanë kapacitet për t’i shkaktuar shkatërrim katastrofik palës tjetër.
“Realiteti është se SHBA-ja dhe Rusia posedojnë secila mbi 1.500 koka bërthamore me rreze të gjatë, të cilat vendosen në raketa tokësore, në raketa me bazë në det dhe në bombardues strategjikë. Këto armë mund të lëshohen brenda 10-15 minutash, pas urdhrit të cilitdo president”, thotë Kimball.
SHIKONI EDHE: SHBA-ja nuk sheh shenja se Rusia planifikon të përdorë armë bërthamoreNë prill të vitit 2022, dy muaj pasi ka nisur luftën në Ukrainë, ushtria ruse ka testuar një raketë të re ndërkontinentale, Sarmat, me kapacitet për të bartur mbi dhjetë koka bërthamore dhe për të goditur SHBA-në.
Instituti Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes, në një raport të publikuar vitin e kaluar, ka konstatuar se arsenalet bërthamore po forcohen në të gjithë botën.
“Nëntë shtetet me armë bërthamore - SHBA-ja, Rusia, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Kina, India, Pakistani, Koreja e Veriut dhe Izraeli - vazhdojnë t’i modernizojnë arsenalet e tyre bërthamore. Në janar të vitit 2023, nga 12.512 kokat luftarake që i kanë këto vende, 9.576 kanë qenë në stoqe ushtarake për përdorim të mundshëm - 86 më shumë se në janar të vitit 2022”, ka konstatuar SIPRI.
SHIKONI EDHE:
Të thënat dhe të pathënat e Putinit në fjalimin drejtuar kombitSHBA-ja nuk sheh shenja se Rusia planifikon të përdorë armë bërthamoreMacron: Evropa duhet të jetë gati për luftë nëse dëshiron paqeKimball thotë se siguria e botës varet nga “racionaliteti dhe përmbajtja” e udhëheqësit të secilës fuqi bërthamore.
Nëse frenimi bërthamor dështon, ai dështon në mënyrë kataklizmike, thotë Kimball, dhe numëron disa hapa që do të duhej të bëheshin në vend të kërcënimeve:
“Ne duhet të kemi një dialog të drejtpërdrejtë, serioz dhe të pjekur midis udhëheqësve të lartë rusë dhe amerikanë, për masat që do t’i reduktonin rreziqet bërthamore dhe masat që do t’i ruanin limitet në arsenalet e tyre masive bërthamore”.
“Së dyti, aleanca e NATO-s dhe Shtetet e Bashkuara në veçanti duhet të përmbahen nga përsëritja e kërcënimeve bërthamore kundër Putinit. Nuk mund të lejojmë ta përshkallëzojmë situatën duke kërcënuar vetë me shkatërrime bërthamore”, thotë Kimball.
Perëndimi, në fakt, ka qenë i përmbajtur në këtë aspekt. Biden njëherë ka thënë se bota do të përballej me “Armagedonin” - referencë për një konflikt dramatik dhe katastrofal - nëse Putin do të përdorte armë bërthamore.
Putin, duke folur për televizionin rus më 13 mars, ka thënë se nuk beson se bota po shkon drejt luftës bërthamore, duke e përshkruar presidentin amerikan, Biden, si një politikan veteran, që i kupton plotësisht rreziqet e mundshme të përshkallëzimit.
Aktualisht, marrëveshja START-i i Ri është e vetmja marrëveshje për armë bërthamore midis SHBA-së dhe Rusisë. Prej të tjerave janë tërhequr qoftë njëri vend, qoftë tjetri.
START-i i Ri, që i obligon palët t’i reduktojnë arsenalet e tyre, skadon në shkurt të vitit 2026. Deri më tash nuk dihet se janë duke u zhvilluar negociata për vazhdimin e marrëveshjes.
Në këtë peizazh të paqëndrueshëm, përpjekjet për çarmatim janë po ashtu jetike për të siguruar një botë më të sigurt për brezat e ardhshëm, thotë Kimball nga Shoqata për Kontrollin e Armëve në SHBA.