Në Prishtinë më 9 qershor u mbajt Parada e gjashtë e Krenarisë me moton “Edhe n’shtet, edhe n’familje”.
Aktivistë të të drejtave të njeriut dhe mbështetës të komunitetit LGBTIQ+ marshuan në rrugët e kryeqendrës së Kosovës.
Java e Krenarisë nisi më 6 qershor në Kosovë dhe përgjatë javës janë mbajtur një sërë aktivitetesh për evokimin e të drejtave të këtij komuniteti.
Motoja “Edhe n’shtet edhe n’familje”, sipas aktivistëve, pasqyron praninë dhe ekzistencën e mohuar të personave LGBTIQ+ si në shtet ashtu edhe në familje.
Shemsie Musa-Çerkini, nënë e një personi homoseksual, tha se është krenare për djalin e saj dhe bëri thirrje që shoqërisë kosovare që të “hapë mendjen dhe zemrën”.
“Ka ardhur koha që të kuptojnë se secili e ka të drejtën që të vendosë për veten e vet, të dashurojë kë të dojë, të veshë çka të dojë, të martohet me kë të dojë, të krijojë familje me kë t’ia dojë zemra”, tha ajo.
Ndërkaq, ambasadori i Bashkimit Evropian në Prishtinë, Tomas Szunyog, që mori pjesë në paradë së bashku me pjesëtarë të korrit diplomatik, tha bazuar në ligjet e Kosovës dhe BE-së, diskriminimi në baza të orientimit seksual është i ndaluar, duke shtuar se duhet të bërë më shumë që personat e komunitetit LGBTIQ+ të trajtohen në mënyrë të barabartë.
“Përderisa mbajtja e përvitshme dhe e papenguar e paradave të Krenarisë në Kosovë qartazi tregon për përkushtimin për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe diversitetit, ne nuk duhet të harrojmë se pjesëtarët e komunitetit LGBTIQ+ ende përballen me diskriminim, si në Kosovë ashtu edhe në BE dhe se të gjithë ne duhet të punojmë së bashku për t’u siguruar që personat LGBTIQ+ të trajtohen në mënyrë të barabartë”, tha ambasadori Szunyog.
Parada e sivjetme u mbajt në kohën kur në Kuvendin e Kosovës nuk ka mbështetje për Projektkodin e ri Civil, i cili hap mundësinë e hartimit të një ligji për regjistrimin e bashkësive civile midis personave të gjinisë së njëjtë.
Në Projektkodin Civil nuk u definua se çfarë është bashkësi civile. Por, megjithatë, aty shkruhej se “të martuarit dhe partnerët në bashkësi civile gëzojnë të drejta dhe detyra reciproke në bazë të këtij Kodi”.
Pikërisht neni që fliste për këtë u bë shkak i mosmiratimit të Projektkodit Civil në Kuvendin e Kosovës gjatë muajit mars.
Kundërshtarët e bashkësisë civile në Kuvend si dhe përfaqësues të komuniteteve fetare në Kosovë, kanë argumentuar se një gjë e tillë do të ripërkufizonte konceptin e familjes dhe martesës.
Your browser doesn’t support HTML5
Ministria e Drejtësisë, si sponsorizuese e Projektkodit, ende nuk e ka ridërguar atë në Kuvend, edhe pse kishte paralajmëruar një gjë të tillë.
Në Projektkodin Civil, që nuk kaloi, thuhej se “bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara” dhe se kushtet dhe procedura lidhur me këtë rregullohen me ligj të veçantë.
Organizatat që përfaqësojnë të drejtat e LGBTIQ+ kishin mirëpritur mosmiratimin e Projektkodit Civil, në versionin siç ishte, duke insistuar në mundësinë e lejimit të martesës.
Në Kushtetutën e Kosovës thuhet “se në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin”.
Nga organizatat që merren me të drejtat e komunitetit LGBTIQ+ kanë paralajmëruar se nëse versioni i ri i Projketkodit Civil nuk rregullon martesat midis gjinive të njëjta, atëherë ata do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për opinion.
SHIKONI EDHE: Avokati i Popullit: Kodi Civil të sigurojë të drejtat e barabarta për personat e sekseve të njëjtaNë vende perëndimore, bashkësitë civile nuk konsiderohen si martesa, por si marrëdhënie e ligjshme ndërmjet dy personave, që siguron mbrojtje ligjore për çiftin, vetëm në nivel shtetëror.
Në Bashkimin Evropian, bashkësitë civile lejojnë dy persona që jetojnë së bashku në çift, të regjistrojnë marrëdhënien e tyre me autoritetin publik përkatës në vendbanimin e tyre. Dallimet midis vendeve të BE-së në këtë fushë po ashtu ekzistojnë.