"Bashkë dhe krenarë", komuniteti LGBTI mban paradë në Prishtinë
Tubimi për Paradën e Krenarisë filloi në orën 11:30, në Sheshin “Skëndërbeu”.
Në orën 12:00 filloi ecja nëpër sheshe, ndërsa përfundoi tek sheshi “Zahir Pajaziti” me një fjalim që adresoi mesazhin e Javës së Krenarisë për këtë vit, dhe me një koncert të shkurtër.
Paradës i kanë paraprirë aktivitete të shumta përgjatë Javës së Krenarisë.
Përmes aktiviteteve përgjatë Javës së Krenarisë, është synuar fuqizimi i personave LGBTI për t’u përballur me diskriminimin e përditshëm në Kosovë.
Java e Krenarisë edhe këtë vit ka adresuar çështje të gjendjes aktuale të personave LGBTI në shoqërinë kosovare.
Parada u mbajt me moton "Bashkë dhe krenarë".
Organizatorë të Paradës ishin Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD) dhe Qendra për Liri dhe Barazi (CEL), me organizatat partnere Civil Rights Defenders (CRD), Nisma e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut (YIHR KS) dhe Qendra Kosovare per Studime Gjinore (QKSGJ).
Pjesëmarrësit e paradës erdhën edhe nga rajoni, por edhe nga disa shtete evropiane.
Pjesëmarrësit thanë se parada për ta përfaqëson liri, barazi dhe festë, por edhe protestë për të drejta të barabarta.
Kjo ishte Parada e pestë e Krenarisë e mbajtur në Kosovë.
Në këtë paradë ishte pjesëmarrës edhe ambasadori i SHBA-së, Philip Kosnett.
Përveç ambasadorit amerikan, në “Paradën e Krenarisë” janë parë edhe emra të ndryshëm të politikës.
Pjesëmarrësit bënë thirrje për solidaritet, barazi, drejtësi dhe ndryshim shoqëror.
Edhe kafshët morën pjesë në paradë.