Kërkohet heqja e imunitetit deputetëve të dhunshëm

Protestuesit duke hyrë në Kuvendin e Maqedonisë, 27 prill 2017

Gjykata Penale e Shkupit i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Mitko Çavkov, i cili së bashku me 36 persona të tjerë po hetohen për veprën penale terrorizëm dhe rrezikim të rendit kushtetues lidhur me ngjarjet e dhunshme në Kuvend, më 27 prill. Masa e paraburgimit i është shqiptuar edhe disa të arrestuarve të tjerë, kryesisht zyrtarë të Qeverisë së kaluar të VMRO-DPMNE-së, por në mesin e tyre ka edhe aktor dhe drejtues të shoqatës “Për Maqedoni të bashkuar” që protestonin para pushtimin të Kuvendin, të enjten e përgjakshme, siç njihet ndërhyrja e tyre në institucionin ligjvënës.

Hetimet po zhvillohen edhe ndaj tre deputetëve të VMRO-DPMNE-së, të dyshuar për hapjen e dyerve të Kuvendit për protestuesit. Edhe për ta është kërkuar masa e paraburgimit, por janë lënë të lirë derisa të Kuvendi të vendos për heqjen e imunitetit të deputetit, procedurë që tashmë ka nisur në organin ligjvënës.

Ministria e Punëve të Brendshme edhe një ditë pas nisjes së aksionit nuk ka dalë me asnjë informatë zyrtare për ndalimin e personave të dyshimtë. Ndërkohë, presidenti Gjorge Ivanov në fjalimin para opinionit tha se përgjegjësi për dhunën e 27 prill në Kuvend duhet të ketë, por kërkoi nga institucionet të respektojnë ligjet dhe të drejtat e njeriut.

Your browser doesn’t support HTML5

Shkup: Deputetët përgjaken nga protestuesit

Kreu i shtetit tha se qytetarët nuk janë dhe nuk mund të trajtohen si një organizatë terroriste, duke shprehur shqetësimin për hakmarrje politike që sipas tij mund të destabilizimin politik.

“Me revanshizëm dhe me demonstrim të forcës gjenerohet polarizimi. Bëj thirrje në urtësi dhe përgjegjësi të institucioneve kompetente, të cilat duhet ta respektojnë Kushtetutën dhe ligjet. Qytetarët presin zgjidhje, e jo probleme”, ka deklaruar Ivanov.

Presidenti Ivanov, të martën nga mesnata ka takuar edhe dy liderët politik, kryeministrin Zoran Zaev dhe kreun e opozitës, Nikolla Gruevski. Në njoftimin nga Presidenca thuhet se “qëllimi i takimit ishte nxitja e pajtimit dhe normalizim i proceseve politike në Maqedoni”.

Edhe Kryeministri Zoran Zaev tha se në këtë takim është biseduar për nevojën e normalizimit të gjendjes, pas protestave që pasuan ndalimet e ish-zyrtarëve të Qeverisë së kaluar. Zaev tha se nuk dëshiron të komentojë hetimet e nisura nga gjyqësori, por tha se beson në respektimin e ligjeve.

“Unë nuk do të doja të komentoj vendimet e gjykatave, por do të ndalem tek aspektet politike dhe besoj se sundim të ligjit duhet të ketë. Unë pres që të respektohet ligjet, Kushtetuta dhe gjithçka që ka të bëjë me sundimit e së drejtës. Por, gjithashtu të gjithë duhet të jemi të kujdesshëm për perspektivat e shtetit, pasi ndodhemi para proceseve serioze, na presin reforma serioze dhe besoj se në këtë frymë përmes bisedimeve me partitë politike të gjejmë zgjidhje”, ka deklaruar Zaev, duke u angazhuar për përfshirjen e opozitës në të gjitha këto procese për të ardhmen e vendit.

Pushtimit të Kuvendit më 27 prill të këtij viti i kishte paraprirë protesta disaditore e një grupi të madh të protestuesve, ithtarë të VMRO-së, të cilët veç tjerash kundërshtonin zgjedhjen e kryetarit shqiptar të Kuvendit, Talat Xhaferi si dhe formimin e Qeverisë mes LSDM-së dhe partive shqiptare. Gjatë hyrjes së dhunshme në Kuvend, ata besohet të jenë ndihmuar nga së paku tre deputetë të VMRO-së së Nikolla Gruevskit, të cilët kishin hapur dyert e Kuvendit pa u penguar fare nga pjesëtarët e sigurimit të Kuvendit.

Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev dhe Zijadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët, ishin dy nga deputetët që ishte në shënjestër të sulmit të protestuesve që kishin pushtuar.

Gjatë dhunës së ushtruar në Kuvend, lëndime kishin pësuar edhe disa deputetë tjerë si dhe gazetar të pranishëm në sallën e konferencave për media.