Një muaj paraburgim për të dyshuarin për sulmin në veri

Një polic afër Banjskës.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shqiptuar masën e paraburgimin prej një muaji ndaj V.T, të dyshuar për sulmin në veri të Kosovës kundër Policisë së Kosovës.

Kjo gjykatë tha se seanca dëgjimore ndaj të pandehurit u mbajt në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ku ai po merr trajtim mjekësor.

V.T dyshohet për vepra kundër rendit kushtetues të Kosovës dhe për kryerjen e veprave terroriste. Ai mund ta apelojë këtë vendim para Gjykatës së Apelit.

Një grup i armatosur, që sipas autoriteteve përbëhej prej rreth 30 personash, sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Policia tha se tre sulmues të dyshuar u vranë gjatë shkëmbimit të zjarrit në manastirin e Banjskës, ku u strehua ky grup i armatosur.

SHIKONI EDHE:

Bilanci i 24 shtatorit - Çfarë ndodhi në Banjskë? Të arrestuarit në Banjskë, “shtetas të Serbisë”

Gjashtë persona në lidhje me rastin janë arrestuar dhe sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, një ka qenë i plagosur.

Sveçla tha se nënkryetari i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë – Millan Radoiçiq, organizoi dhe mori pjesë në sulmin ndaj zyrtarëve policorë.

Radoiçiq gjendet në listën e zezë amerikane dhe kërkohet nga autoritetet e Kosovës për frikësimin e dëshmitarëve në rastin e njohur si Brezovica.

SHIKONI EDHE: Kosova e akuzon Radoiçiqin për sulmin ndaj Policisë

Sipas autoriteteve të Kosovës, grupi ka qenë “një njësi e organizuar profesionale, që ka ardhur për të luftuar në Kosovë”.

Por, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se personat e armatosur ishin serbë lokalë “të cilët nuk mund të vuanin më terrorin e [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurtit”.