Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për vrasjen e një gruaje në Ferizaj

Gjykata Themelore në Ferizaj.

Gjykata Themelore në Ferizaj ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit, V.A, të dyshuar për vrasjen e 21-vjeçares E.C, më 12 prill, si dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës.

Më 12 prill, i pandehuri është thënë të ketë plagosur edhe vëllain e viktimës, D.C, 15 vjeç.

Në vendimin e Gjykatës, të shtunën, është thënë se i pandehuri ka bashkëjetuar më parë me viktimën, dhe që ekziston dyshim i bazuar se me vetëdije e ka kryer vrasjen në orët e pasdites së 12 prillit brenda zyrës së Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj.

Mediat lokale në Kosovë kanë raportuar se i dyshuari ka qenë ish-bashkëshorti i viktimës dhe se ata e kanë një fëmijë.

Arma e zjarrit është konfiskuar prej Policisë së Kosovës.

Zyrtarë të lartë shtetërorë e kanë dënuar ashpër vrasjen dhe kanë bërë thirrje për drejtësi.

Nga viti 2010 në Kosovë janë vrarë 56 gra.

SHIKONI EDHE: Thirrje për drejtësi, barazi dhe siguri për gratë në Kosovë