Papunësia, problemi më i madh pas pandemisë

Prishtina

Qamil Shala nga Fushë Kosova ka një muaj që ka mbetur pa punë, për shkak të masave emergjente, që kanë shtyrë shumë biznese të mbyllin dyert. Masat emergjente kanë nis së zbatuari që prej paraqitjes së koronavirusit të ri.

“Kam qenë punëtor në një market, por para një muaji më kanë larguar nga puna dhe tani jam i papunë; jo vetëm unë, aty ka pas shumë punëtorë, por janë larguar shumica dhe nuk e di çka do të bëhet pasi të përfundojë pandemia. Nuk besoj që do të kthehemi aty për një kohë të gjatë, por do të kemi vështirësi edhe pas përfundimit të pandemisë, nuk e di me çka do të jetojmë”, thotë ai.

Kosova ka një shkallë papunësie prej 30 për qind, por ky numër pritet të jetë më i madh marrë parasyshë numrin e personave, që kanë humbur vendin e punës për shkak të pandemisë.

Një hulumtim i Shoqatave Ekonomike në Kosovë, vë në pah se 30 për qind e ndërmarrjeve të anketuara janë deklaruar se kanë zvogëluar numrin e të punësuarve.

Sipas madhësisë së ndërmarrjeve, sipas këtij hulumtimi rezulton që më së paku punonjës janë larguar nga ndërmarrjet e mëdha, ndërsa largimet më të mëdha raportohen në ndërmarrjet e mesme dhe ato të vogla - rreth 13.9 për qind e tyre kanë larguar mbi 50 për qind të të punësuarve.

SHIKONI EDHE: Si do të mund ta qetësojë Kosova tronditjen e pritshme ekonomike?

Qeveria e Kosovës në Pakon Emergjente Fiskale, e cila kap vlerën e rreth 180 milionë eurove, në një nga masat ka paraparë për punëtorët që kanë humbur vendin e punës pas shpalljes së masave nga qeveria, të përfitojnë nga 170 euro për dy muajit e ardhshëm.

Rritet numri i punëkërkuesve

Në Agjencinë e Punësimit të Kosovës bëjnë të ditur se është rritur numri i atyre të cilët regjistrohen si të papunë.

Drejtori i përgjithshëm i kësaj Agjencie, Drin Haraçia, tha për Radion Evropa e Lirë se vetëm brenda pesë ditëve në zyrën e punësimit janë regjistruar mbi 6 mijë persona si të papunë.

Më 16 prill, Qeveria e Kosovës ka filluar të aplikojë masën 15 të Pakos Emergjente Financiare, masë kjo e cila parasheh 130 euro asistencë mujore për familjet që nuk kanë asnjë të punësuar.

“Një nga kriteret për të marrë një ndihmë nga Pakoja Emergjente është regjistrimi si i papunë. Që prej nisjes së kësaj mase kemi të regjistruar mbi 6 mijë veta si të papunë, por kjo shifër do të jetë më e lartë, sepse në zyrat që janë nëpër të gjitha komunat, ka një numër të madh të aplikimeve fizike dhe online. Në ditët në vazhdim të gjitha këto do të vendosen në sistem dhe ky numër do të jetë shumë më i lartë”, thotë Haraçia.

Gabim në server

Ka një problem në server. Ekipi ynë po merret me të. Ju kërkojmë ndjesë!

Ju lutemi përdoreni opsionin e kërkimit për të parë nëse gjendet diku tjetër në web

Deri më datën 15 mars të këtij viti, numri i të papunëve të regjistruar në Agjencinë e Punësimit ka qenë 75 mijë punëkërkues.

Oda e Afarzimit: Mbi 50 mijë qytetarë kanë humbur punën

Kryetari i Odës së Afarizmit në Kosovë, Skënder Krasniqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se tani më në Kosovë kanë humbur punën rreth 50 mijë punëtorë për shkak të ndërprerjes së obliguar të disa veprimtarive ekonomike.

“Se sa do të rritet niveli i papunësisë, kjo do të varet se sa do të mbështeten bizneset në këtë kohë nga shteti. Për aq kohë sa shteti nuk i mbështet bizneset që të kenë likuiditet apo t’ju ndihmojnë finaciarisht, atëherë papunësia do të jetë shumë më e madhe sesa që është tani. Ne mendojmë që së paku 50 mijë punëtorë deri më tani kanë mbetur pa punë”, thotë Krasniqi.

SHIKONI EDHE: Nga një krizë virusi në një krizë ekonomike

Rritjen e numrit të papunësisë e kishte theksuar edhe guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti në një bisedë për Radion Evropa e Lirë.

Ai pati theksuar se pamundësia e bizneseve për të ushtruar aktivitetin e tyre në mënyrë normale do të ndikojë në punësimin dhe të ardhurat e qytetarëve, duke ndikuar kështu në mënyrë të drejtpërdrejtë në rënien e konsumit.

Rritet edhe numri i familjeve të varfra

Mbi 23 për qind e qytetarëve të Kosovës, sipas të dhënave të fundit të Bankës Botërore, jetojnë në varfëri.

Sipas këtyre të dhënave të Bankës Botërore, rreth 18 për qind e popullatës në Kosovë jeton në varfëri me më pak se 2 euro në ditë, ndërsa 5 për qind e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë ekstreme ose me më pak se 1.50 euro në ditë.

Antigona Sopjani, koordinatore për mirëqenie sociale në Kryqin e Kuq të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se situata e krijuara nga COVID-19 ka rritur numrin e familjeve të cilat kërkojnë ndihmë në Kryqin e Kuq.

Ajo tregon se gjatë periudhës njëmujore, kanë shpërndarë rreth 10 mijë pako ushqimore dhe rreth 8 mijë pako higjienike për familjet në nevojë.

“Që kur kanë filluar rastet e para të infektimeve, rastet për ndihmë në Kryqin e Kuq janë shtuar gjithashtu, për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike dhe për shkak se te disa familje ka pasur raste kur dikush është larguar nga puna, siç janë për shembull punëtorët fizikë”.

“Kemi pasur një fluks të madh të familjeve që kanë pasur nevojë dhe që kanë ende nevojë për përkrahje. Në listat e Kryqit të Kuq janë 14,000 familje nevojtare, por ky numër është rritur, dhe ka qenë e pamundur të bëhet regjistrimi i tyre, sepse rastet vetëm janë duke u shtuar dita ditës”, thotë Sopjani.

Me një rritje ekonomike mesatare prej 4 për qind, Kosova ka vuajtur nga papunësia dhe problemet ekonomike e sociale ndër vite.

Pas pandemisë së koronavirusit, sipas parashikimeve edhe të Bankës Qendrore të Kosovë do të ketë një ulje të rritjes ekonomike nga -2 deri në -4 për qind.

Ndërkaq, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, pas pandemisë, ekonomia e Kosovës pritet të tkurret për 5 për qind.