Papunësia në Kosovë vazhdon të mbetet në një nivel tejet të lartë. Autoritetet në Kosovë, thonë se gjatë vitit 2018 kanë orientuar politikat ekonomike zhvillimore drejtë uljes së papunësisë.
Megjithatë, të dhënat për papunësinë të publikuara të hënën nga Agjencia e Statistikave të Kosovës bëjnë të ditur se shkalla e papunësisë në Kosovë në tremujorin e tretë të vitit 2018 ishte 30.7 për qind.
Lulzim Rafuna, këshilltar i ministrit të Financave në Qeverinë e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se hapat konkret që kanë bërë për ngritje të punësimit janë lehtësirat fiskale që i kanë bërë sektorit privat, si gjenerator i krijimit të vendeve të punës.
“Sa i përket Ministrisë së Financave gjatë vitit 2018 kemi pasur në fokus zhvillimin e sektorin privat në mënyrë që ky sektor të jetë bartës i zhvillimit ekonomik. Ne kemi ndërmarrë hapa konkret në këtë vit të cilët kanë treguar rezultate pozitive sa i përket uljes së papunësisë dhe rritjes së sektorit privat. Masat që i kemi ndërmarrë janë lirimi i lëndës së parë të procesit të prodhimit, gjysmë produktet në proces të prodhimit, linjat e prodhimit, pajiset teknologjike e të tjera. Vendimi tjetër që është marrë që ka ndikuar në shtimin e prodhimtarisë në vend ka qenë vendimi për lirimin nga akciza”, thekson Rafuna.
SHIKONI EDHE: Trajnohen për punë në Kosovë, synojnë BE-nëSipas të dhënave të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës për vitin 2018, thuhet se ka një rritje prej 15 për qind të kompanive prodhuese, derisa në sektorin e shërbimeve ka një rritje prej rreth 13 për qind krahasuar me një vit më parë.
Megjithatë, sipas përfaqësuesve të punëtorëve në Kosovë, niveli i papunësisë konsiderohet të jetë mjaft shqetësues.
Kryetari i Bashkimit të Sindikatës së Pavarur të Kosovë, Avni Ajdini, thotë për Radion Evropa e Lirë se qytetarët e Kosovës nuk e shohin si mundësi të mirë punësimin në Kosovë për shkak të kushteve të punës të cilat ofrohen në vend.
“Sa i përket zhvillimit ekonomik në Kosovë, ne jemi dëshmitar se nuk ka një zhvillim të duhur që të josh qytetarët e vet që të punësohen këtu, por në vazhdimësi ka synime që të emigrojnë. Politikat momentale nuk kanë dhënë ndonjë fryt që të rritet ekonomia jonë. Ekonomia e Kosovës nuk mund të rritet përmes të hyrave nga Doganat e Kosovës, por ekonomia rritet duke bërë projekte afatgjate duke hapur fabrika në ekonominë e vogël, të mesme dhe familjare”, thotë Ajdini.
Banka Botërore në raportin e saj të fundit për ekonominë në Ballkanin Perëndimor, ka vënë në pah se Kosova në vitin 2018, do të ketë rritje ekonomike prej 4.2 për qind, kurse ndërmjet viteve 2019-2020 rritja ekonomike parashihet të arrijë në 4.5 për qind.
SHIKONI EDHE: Në hall për të gjetur punëtorëKjo rritje ekonomike prej 4.2 për qind, siç thekson Lulzim Rafuna nuk mund të ndikojë në rënie të madhe të papunësisë në Kosovë, por që sipas tij, kjo rritje mundëson që gradualisht të ulet niveli i papunësisë.
“Për të bërë një kërcim radikal në uljen e papunësisë jemi të vetëdijshëm që rritja ekonomike 4.3 për qind nuk është një rritje që bënë një hap të madh radikal në uljen e papunësisë, por ana pozitive është se ne çdo vit po kemi rritje ekonomike dhe më të lartën në Ballkan. Ne duhet ta mbajmë këtë trend në mënyrë që gradualisht të ulim papunësinë”, thotë Rafuna.
Në tregun e punës në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare, çdo vit hyjnë 25 deri në 30 mijë të rinj, të cilët konsiderohen të aftë për punë.
Rezultatet e dala nga anketa e fuqisë punëtore, tregojnë se dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune. Ndërkohë, shqetësues mbetet fakti se fuqia punëtore joaktive është mjaft e lartë me 58 për qind, me fokus të veçantë te femrat.
Sa u përket të punësuarve me kontrata, del se 28.4 për qind e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 71.6 për qind kanë kontratë të përkohshme.
Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë tregtia, pasuar nga ndërtimtaria, arsimi dhe prodhimi.