Papa Françesku lutet për përfundimin e menjëhershëm të luftës në Ukrainë

Papa Françesku gjatë fjalimit të tij në Vatikan. 25 dhjetor 2022.

Në fjalimin e tij të Krishtlindjes më 25 dhjetor, Papa Françesku bëri thirrje për përfundimin e menjëhershëm të luftës në Ukrainë, një konflikti dhjetë-mujor që ai e cilësoi si "të pakuptimtë".

Gjatë fjalimit tradicional të njohur si “Urbi et Orbi” [nga latinishtja: për qytetin dhe botën], nga ballkoni qendror i Bazilikës së Shën Pjetrit, Papa u lut edhe për të gjithë njerëzit që janë prekur nga i ftohti ekstrem gjatë Krishtlinjes.

Dhjetëra mijëra turistë, pelegrinë dhe banorë të Romës u grumbulluan në sheshin e Shën Pjetrit për të dëgjuar Papën dhe për të marrë bekimin e tij.

Papa Françesku përmendi gjithashtu konfliktet e gjata në Lindjen e Mesme, dhe u lut për armëpushim të qëndrueshëm në Jemen, dhe për pajtim në Iran dhe Mianmar.

Ai tha se "rruga e paqes" bllokohet nga forcat që përfshijnë "lidhjen me pushtetin dhe paranë, krenarinë, hipokrizinë, gënjeshtrën".

“Nëse duam që të jetë Krishtlindja, lindja e Jezusit dhe e paqes, le të shkojmë në Betlehem dhe të sodisim fytyrën e fëmijës që ka lindur për ne”, tha ai. “Dhe në atë fytyrë të vogël dhe të pafajshme, le të shohim fytyrat e të gjithë atyre fëmijëve që kudo nëpër botë dëshirojnë paqen”.

Në Kishën e Lindjes së Krishtit në Betlehem të Bregun perëndimor, besimtarët besojnë se ka lindur Jezu Krishti.

Mesha e Krishtlindjes nëpër botë

Françesku u bëri thirrje besimtarëve të kujtojnë miliona ukrainas që janë pa energji elektrike ose ngrohje, për shkak të sulmeve ruse në infrastrukturën energjetike, si dhe miliona të tjerë që jetojnë si refugjatë jashtë vendit ose të zhvendosur brenda vendit të tyre që nga pushtimi që nisi më 24 shkurt.

“Le të shohim gjithashtu fytyrat e vëllezërve dhe motrave tona ukrainase, të cilët po përjetojnë këtë Krishtlindje në errësirë dhe të ftohtë, larg shtëpive të tyre për shkak të shkatërrimit nga dhjetë muaj luftë”, tha Papa.

SHIKONI EDHE: Zelensky për Krishtlindje: Liria ka çmim të lartë, por skllavëria edhe më të lartë

Papa u lut që Zoti "të ndriçojë mendjet e atyre që kanë fuqinë të shuajnë bubullimën e armëve dhe t'i japin fund të menjëhershëm kësaj lufte të pakuptimtë!".

“Në këtë ditë, ndërsa jemi ulur rreth një tavoline të shtrirë mirë, le të mos e largojmë vështrimin tonë nga Betlehemi, një qytet emri i të cilit do të thotë 'shtëpia e bukës', por të mendojmë për të gjithë ata, veçanërisht fëmijët, të cilët janë të uritur", tha ai.

Krishtlindja është festa më e rëndësishme në kalendarin e festave të krishtera dhe festohet çdo vit në natën mes 24 dhe 25 dhjetorit.