Papa Françesku: Homoseksualiteti nuk është krim

Papa Françesku gjatë një fjalimi në Vatikan

Papa Françesku kritikoi ligjet që kriminalizojnë homoseksualitetin dhe i quajti "të padrejta", duke thënë se “Zoti i do të gjithë fëmijët e tij ashtu siç janë”. Ai u bëri thirrje peshkopëve katolikë që i mbështesin ligjet, t'i mirëpresin njerëzit LGBTQ në kishë.

“Të jesh homoseksual nuk është krim”, tha Papa Françesku gjatë një interviste të martën për Associated Press.

Ati i Shenjtë pranoi se peshkopët katolikë në disa pjesë të botës mbështesin ligjet që kriminalizojnë homoseksualitetin ose diskriminojnë komunitetin LGBTQ.

SHIKONI EDHE: Papa Françesku lutet për përfundimin e menjëhershëm të luftës në Ukrainë

Por, ai ia atribuoi qëndrimet e tilla prejardhjes kulturore dhe tha se peshkopët, në veçanti, duhet t'i nënshtrohen një procesi ndryshimi për të njohur dhe mbështetur dinjitetin e gjithsecilit.

"Këta peshkopë duhet të kenë një proces konvertimi", tha ai, duke shtuar se ata duhet të aplikojnë "butësi, ju lutem, siç ka Zoti për secilin prej nesh".

Sipas organizatës The Human Dignity Trust, e cila punon për t'u dhënë fund ligjeve që diskriminojnë komunitetin LGBTQ, rreth 67 vende ose juridiksione në mbarë botën kriminalizojnë homoseksualitetin, 11 prej të cilave mund të vendosin dënimin me vdekje.