Shtetet e Bashkuara kanë bërë të ditur se do të zgjerojnë listën e afganëve që do të evakuojnë nga Afganistani, teksa talibanët zgjerojnë territorin që kontrollojnë në këtë shtet, dhe trupat e huaja ushtarake finalizojnë procesin e tërheqjes.
Departamenti amerikan i Shtetit, ka njoftuar më 2 gusht se punëtorët aktualë dhe ata që kanë punuar në agjenci amerikane apo agjenci që pranojnë fonde amerikane, tani do të mund të aplikojnë për statusin e refugjatit në Shtetet e Bashkuara.
Ky njoftim vjen teksa militantët talibanë vazhdojnë ofensivën e tyre për të pushtuar territore në Afganistan, prej kur forcat e huaja amerikane, kanë nisur të tërheqjen nga muaji maj.
Procesi i tërheqjes pritet të finalizohet më 31 gusht.
Punëtorët dhe ish-punëtorët e Qeverisë amerikane apo ata të operacioneve ushtarake të NATO-s, që nuk përmbushin kriteret për programet speciale për viza, janë të përfshirë në listë, ka thënë Departamenti amerikan i Shtetit.
Krijmi i listës “Prioriteti 2”, për afganët brenda Programit të Pranimit të Refugjatëve, do të mbulojë afganët dhe familjarët e tyre që “mund të jenë në rrezik për shkak bashkëpunimit me SHBA-në”, mirëpo nuk janë në gjendje të aplikojnë në programin special për viza të imigrantëve, meqë nuk kanë punuar drejtpërdrejt për Qeverinë afgane.
Departamenti amerikan i Shtetit, ka thënë se ky program nënkupton se “mijëra afganë” dhe familjet e tyre kanë mundësi që kenë lejeqëndrim të përhershëm në Shtetet e Bashkuara si refugjatë.
“Synimi amerikan mbetet Afganistani paqësor dhe i sigurt”, është thënë në deklaratë.
“Megjithatë, teksa rritet niveli i dhunës së talibanëve, Qeveria amerikane është duke punuar për t’iu mundësuar disa afganëve, duke përfshirë atyre që kanë punuar me Shtetet e Bashkuara, që të jetojnë përjetësisht në SHBA”.
Për të aplikuar në kategorinë “Prioriteti 2”, afganët duhet të nominohen nga ndonjë agjenci qeveritare amerikane, nga shtetas amerikanë, media me bazë në SHBA, apo organizata joqeveritare.
SHIKONI EDHE: Watkins: Përmes tërheqjes, SHBA-ja e pranoi me vonesë se nuk i arriti qëllimet në AfganistanGrupi i parë prej 221 afganëve, shumica prej të cilëve përkthyes, të cilët kanë kaluar të gjitha testet për siguri, kanë arritur më 30 korrik në Uashington.
Rreth 2,500 afganë tjerë pritet të arrijnë në SHBA në ditët në vijim.
Ndërkohë, rreth 4,000 persona tjerë që kanë aplikuar për shpërngulje në SHBA, plus familjet e tyre, dhe janë duke pritur që të kalojnë fazat e sigurisë, do të dërgohen në shtete të treta, derisa të përfundojnë të gjitha procedurat.
Deri më tani vlerësohet se 20,000 afganë kanë shprehur interesim për programet amerikane të zhvendosjes.
Presidenti amerikan, Joe Biden është përballur me presion nga ligjvënësit dhe grupet për të dreja të njeriut për t’iu ndihmuar afganëve që rrezikojnë të shënjestrohen nga talibanët, për shkak të bashkëpunimit me SHBA-në gjatë 20 vjetëve të luftës.
Biden është zotuar se afganëve, që i kanë ndihmuar ushtrisë amerikane, nuk do t’iu kthehet shpina, teksa largohen forcat ndërkombëtare nga Afganistani.
“Ata që na kanë ndihmuar, nuk do t’i lëmë prapa”, ka thënë Biden nga Shtëpia e Bardhë më 24 qershor, një ditë pasi është takuar me presidentin afgan, Ashraf Ghani dhe udhëheqësin e Këshillit të Lartë për Pajtim Kombëtar, Abdullah Abdullah.
Zyrtarë të administratës kanë qenë të kujdesshëm kur kanë diskutuar planet për zhvendosje, për shkaqe të sigurisë.
SHIKONI EDHE: Qindra persona evakuohen nga Afganistani në SHBALargimi i trupave ndërkombëtare ka krijuar paqartësi të mëdha në Afganistan, sidomos kur po zgjerohet territori i talibanëve.
Disa ligjvënës amerikanë kanë thënë hapur se shqetësohen për kthimin e talibanëve në pushtet, për kthimin mbrapa në fushën e të drejtave të grave dhe kthimin e vajzave nën rregullin e ashpër të Islamit, sikurse në kohën kur talibanët kanë qenë në pushtet, në periudhën 1996-2001.
Gazeta amerikane The Wall Street Journal, ka raportuar se një raport i ri i inteligjencës amerikane tregon se talibanët mund ta pushtojnë Kabulin brenda gjashtë muajve.
Raporti është thënë të jetë hartuar pas rishikimit të analizave të së kaluarës, që tregonin se Qeveria afgane mund të jetë në pushtet edhe për dy vjet tjera, pas largimit të trupave ndërkombëtare.
Rreth 650 trupa amerikane pritet të mbesin në Afganistan për të ofruar siguri për diplomatët, pasi forcat amerikane të largohen nga ky shtet, kanë thënë disa zyrtarë të paidentifikuar për agjencinë e lajmeve Associated Press.
Sipas zyrtarëve, qindra trupa tjera amerikane do të qëndrojnë në Aeroportin Ndërkombëtar të Kabulit, potencialisht deri në shtator, për t’iu ndihmuar trupave turke që të ofrojnë siguri.