Pandemia solli edhe shtrenjtimin e ushqimit 

Maqedoni e Veriut, Negotin (Foto nga arkivi)

Produktet ushqimore në Maqedoninë e Veriut krahasuar me një vit më herët, janë shtrenjtuar për 2.1 për qind . Por në mënyrë drastike është rritur çmimi i vajit për amvisëri, vajit të lulediellit edhe atë pothuajse për (30 denarë ) 50 cent, përkatësisht për 14 për qind.

Rritje të çmimeve janë regjistruar edhe tek qumështi, vezët, sheqeri, produktet qumështore, çokollatat, mishi, peshku etj.

Qytetarët ankohen se gjithnjë e më pak po mbetet e mbushur shporta, pasi shumë produkte që në shikim të parë duket se janë shtrenjtuar pak, në realitet, kur mblidhen më shumë produkte, atëherë e sheh se je i detyruar të heqësh dorë ose nga ndonjë produkt ushqimor ose thjesht duhet zvogëluar sasinë.

“Po, është shtrenjtuar shumë vaji, sheqeri, produktet e qumështit. Këtë e vërej gjatë blerjes sepse më duhet të heq dorë nga ndonjë gjë pasi, me të njëjtat të holla nuk mund t’i blej gjërat e njëjta siç i blija vitin e kaluar”, thotë Marjan Vitanovska.

SHIKONI EDHE: Maqedonasit më kursimtarë në pandemi

Ndërkaq Sami Murati, shitës në një dyqan të Shkupit, për Radion Evropa e Lirë, thotë se si shitës për cdo ditë ballafaqohet me revoltën e qytetarëve, pasi çmimet pësojnë rritje.

“Qytetarët reagojnë por çmimi është ai që është”, thotë Murati, duke shtuar se është detyruar të rris çmimet pasi për shumë produkte, fillimisht janë rritur çmimet në pikat furnizuese.

Prodhuesit e vajit për amvisëri, thonë se në rritjen drastike të çmimit të vajit të lulediellit, ka ndikuar rritja e çmimit të vajit në berëzën e tregut ndërkombëtar si dhe ulja e prodhimtarisë bujqësore për këtë kulturë në vend.

“Jo vetëm ne por edhe prodhuesit e tjerë të vajit për amvisëri, çmimin e vajit e përcaktojmë në bazë të çmimit të lëndës së parë që shënon rritje në tregun ndërkombëtar. Faktor tjetër është dhe ajo se ne si fabrikë arritëm të furnizohemi me një sasi shumë të vogël të farës së lulediellit nga tregu vendor”, thotë Sillvana Manaskovska nga një kompani për përpunimin e vajit nga luledielli në qytetin e Velesit.

SHIKONI EDHE: Asistenca prej 37 euro

Shtrenjtimi i vajit ndikon në industrinë e produkteve ushqimore.

Goran Cuculeski i cli drejton një kompani për konservimin e turshive thotë se shtrenjtimi i vajit po lë gjurmë në procesin e prodhimtarisë në kompaninë e tij.

“Meqë jemi kompani e cila është e orientuar kah eksporti, është shumë e komplikuar t’i përshtasim çmimet e produkteve tona, me rritjen e çmimit të vajit për ushqim, pasi kemi marrëveshje vjetore dhe duhet tu përmbahemi të njëjtave. Mirëpo, shtrenjtimin e vajit tani e bartim në kurrizin tonë, por nuk e di se deri kur mund t’i bartim këto shpenzime”, thotë Cuculeski.

Ndryshe, në bazë të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, është shënuar ulje e tregtisë në pakicë, veçanërisht e produkteve ushqimore dhe pijeve, dhe atë për 4 për qind.

SHIKONI EDHE: Kompanitë prodhuese presin ndihmën e qeverisë për rimëkëmbje

Nga shtrenjtimi i produkteve ushqimore më së shumti do ta ndjejnë qytetarët me status të ndjeshëm social.

Arben Halili, profesor i ekonomisë në Universitetin e Tetovës, për Radion Evropa e Lirë thotë se rritja e shumë produkteve bazike ushqimore, do të bjen në kurriz të popullatës me të ardhura më të vogla. Ulja e tregtisë me pakicë tregon se po shterrojnë kapacitetet konsumuese të qytetarëve.

“Fatkeqësisht rritja e çmimit të produkteve kryesore ushqimore do t’i faturohet në radhë të parë popullatës, përkatësisht asaj kategorie që ka të ardhura minimale. Duke pasur parasysh se kemi të bëjmë me rritjen e çmimit të produkteve siç është vaji për amvisëri dhe produktet e tjera, kjo do të thotë që asnjë nga qytetarët nuk do të mbetet i pa prekur në këtë drejtim. Kjo sigurisht se do të çoj në pasoja të tjera në nivel ekonomik, të cilat mund të jenë dhe çështje e inflacionit”, thotë Halili.

SHIKONI EDHE: Pandemia thellon varfërinë në Maqedoninë e V.

Ndryshe, qeveria e Maqedonisë një vit më herët, me fillimin e pandemisë, mori vendim për ngrirje të çmimeve për produktet bazë ushqimore: bukës, kripës, vajit, qumështit dhe prodhime qumështore, vezëve, miellit, mishit, pasta, barnave dhe mjeteve dezinfektuese, përveç atyre që kanë dëshmi se janë rritur faturat e hyra, masë kjo e cila ishte e vlefshme derisa zgjati gjendja e jashtëzakonshme, përkatësisht deri në fund të qershorit të vitit 2020.

Nga Ministria e Ekonomisë, thonë se nuk ka kushte ligjore që sërish të merret një vendim për ngrirjen e çmimeve.