Egzon Krasniqi, fizioterapeut me profesion, gjatë kohës së pandemisë e ka humbur vendin e punës. Ai ka punuar në Banjë të Pejës. Ka përfunduar fakultetin e mjekësisë, degën e fizioterapisë, dhe i përket komunitetit rom.
Vendimi për largimin nga puna, është marrë me arsyetimin se do të bëhet reduktim i stafit. Gjatë kohës së pandemisë si i papunë, nuk ka marrë ndonjë ndihmë financiare nga askush.
Egzoni thotë se humbja e punës e ka goditur ekonomikisht, pasi që ka qenë ai që është kujdesur për familjen katër anëtarëshe.
“Punën e kam humbur për shkak të situatës me COVID-19. E kom marrë vendimin për ndërprerje të marrëdhënies së punës, ku siç thuhen në vendim, për reduktimit të punëtorëve. Nuk kemi marrë ndonjë shpjegim më të madh. Aty kam punuar tre vjet. Aty pagën e kemi marrë varësisht sa orë kemi punuar si fizioterapeut. Ne jemi katër anëtarë të familjes. Jetoj me vëllanë, motrën dhe nënën. Situata ekonomike na është vështirësuar. Motrën dhe vëllanë i kam studentë”, tregon Egzoni.
SHIKONI EDHE: I papunë në kohë pandemieDeputeti i Republikës së Kosovës, i cili përfaqëson komunitetin rom, Albert Kinolli, i tha Radios Evropa e Lirë se sidomos komuniteti rom, por duke mos e anashkaluar as atë ashkali dhe egjiptian, është duke u përballur me vështirësi socio-ekonomike gjatë gjithë kohës së pandemisë së koronavirusit.
Ai thotë se një pjesë e vogël e këtyre komuniteteve, zakonisht kanë biznese të vogla familjare që i ushtrojnë, si floktar, këpucëtarë e të ngjashme.
Megjithëkëtë, ato lokale kanë qenë të mbyllura gjatë gjithë kohës së pandemisë, e që përpos asaj familjeje që ka humbur ekonomikisht, ka pasur edhe punëtorë në këto biznese, që kanë humbur vendin e punës.
“Gjendja socio-ekonomike është e vështirë. Ndihmat janë të pakta. Por, me miratimin e buxhetit të Republikës së Kosovës ku përfshihet edhe Pakoja Emergjente, e që janë paraparë që familjet e prekura të përfitojnë nga 120 deri në 170 euro, besoj që kjo ndihmë nëse realizohet, do të zbutë sado pak gjendja aktuale ekonomike të këtyre komuniteteve. Qeveria e Kosovës tashmë ka ofruar Pako Emergjente prej 2 milionë euro për pakicat dhe gjitha organizatat kanë të drejtë të aplikojnë, dhe përmes tyre të shpërndahen ndihmat për qytetarët”, tha Kinolli.
SHIKONI EDHE: Pandemia rrit shkallën e varfërisë në KosovëGjendja socio-ekonomike e komuniteteve Rom, Ashkali e Egjiptian, në përgjithësi gjatë kohës së pandemisë është vështirësuar edhe më tej, ndonëse nuk ka qenë e lakmueshme edhe para pandemisë, thonë përfaqësues të organizatave që merren me të drejtat e këtyre komuniteteve.
Bashkim Ibishi, drejtor i organizatës “Advancing Together”, i tha Radios Evropa e Lirë se gjendja socio-ekonomike e komuniteteve RAE po vazhdon të jetë e rëndë. Ai thotë se përqindja e të punësuarve nga këto komunitete është shumë e ulët.
Sipas të dhënave të Zyrës së Kryeministrit, del se 0.01 për qind e pjesëtarëve të këtyre komuniteteve punojnë në sektor publik dhe janë të regjistruar si të punësuar.
“Sa i përket gjendjes socio-ekonomike, ne kemi ngrit vazhdimisht shqetësimin tonë duke e marrë parasysh kufizimin e lëvizjes së lirë dhe gjenerimin e të ardhurave për familjarët. Ne kemi intervenuar aty ku kemi mundur, qoftë me mjete vetanake, por edhe me fonde të donatorëve të ndryshëm, si prej ambasadës gjermane, Këshillit të Evropës, UNDP, UNHCR etj. Edhe para pandemisë mund të them se papunësia në mesin e këtyre komuniteteve është shumë, shumë e lartë, dhe arrin pothuajse mbi 90 për qind”, thotë Ibishi.
Ndryshe më mesin e këtyre komuniteteve, aktualisht janë 58 raste aktive me COVID-19, ndërkaq nuk dihet numri i saktë të infektuarve me koronavirus nga asnjëri komunitet, thotë Ibishi, duke shtuar se këto raste të të infektuarve me koronavirus, janë identifikuar në teren.
“Për sa i përket numrit të të prekurve me COVID-19, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike disponon këto të dhëna dhe për shkak të ruajtjes së privatësisë së rasteve të prekura, nuk publikon emra e as përkatësia etnike e të prekurve. Të dhënat që ne disponojmë janë të bazuara nga raportet tona monitoruese dhe inputeve që sigurohen nga rrjeti ynë i avokatëve te komuniteteve, djem dhe vajza që janë nga komunitetet pakicë dhe që jetojnë në komunitet”, tha Ibishi.
Ndryshe, sipas agjencisë së Kombeve të Bashkuara që merret me refugjatët, UNHCR, komuniteti rom në Evropë ballafaqohet me rrezik të lartë e përhapjes së COVID-19, sëmundjes që e shkakton koronavirusi.
Në Evropë jetojnë afërsisht 12 milionë romë dhe shumica prej tyre nuk kanë qasje në ujë të pijshëm, energji elektrike dhe jetojnë në kushte të vështira dhe pa mjekësi adekuate.
SHIKONI EDHE: Mbijetesa e varur nga asistenca socialeNë Kosovë llogaritet se jetojnë rreth 40 mijë romë, ashkali dhe egjiptianë. Qeveria e Kosovës, tashmë shumë herë ka shprehur përkushtimin e saj për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve, madje është hartuar edhe strategjia për integrimin e komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë ku punësimi dhe mirëqenia sociale janë një prej katër objektivave kyçe të kësaj strategjie.
Por, përfaqësuesit e komuniteteve, vazhdimisht kanë shprehur ankesa të mëdha se ligjet e strategjitë e miratuara për këto komunitete, kanë mbetur vetëm në letër dhe asnjëherë nuk janë zbatuar në praktikë. Kjo për faktin se llogaritet që mbi 90 për qind e këtyre komuniteteve janë të papunë.