Zyra e Inspektorit të Posaçëm për Rindërtim të Afganistanit, ka krijuar një portret të zymtë të dy dekadave të intervenimit amerikan në Afganistan, duke thënë se administatat amerikane kanë “nënvlerësuar” kohën që është kërkuar për të ndërtuar shtetin dhe kanë “keqkuptuar” kontekstin gjatë luftës më të gjatë të Shteteve të Bashkuara.
Në një raport të publikuar më 17 gusht, kjo Zyrë ka thënë se intervenimi amerikan në këtë shtet ka pasur “pika të ndritshme” siç është ulja e shkallës së mortalitetit te foshnjat, rritja e bruto-prodhimit të brendshëm për kokë banori, dhe rritja e shkallës së edukimit.
Mirëpo e njëjta ka vënë në pikëpyetje këto arritje, në krahasim me 145 miliardë dollarët e shpenzuar përgjatë 20 vjetëve, për të tentuar që të rindërtohet Afganistani si demokraci e qëndrueshme, pas largimit të trupave amerikane.
SHIKONI EDHE: Kostoja e luftës në Afganistan, në jetë dhe dollarëKy vlerësim është publikuar teksa mijëra civilë të dëshpëruar tentojnë të largohen nga Afganistani, pasi talibanët kanë fituar kontrollin e Kabulit dhe kanë rrëzuar Qeverinë e përkrahur nga Perëndimi më 15 gusht, disa ditë para se të përfudonte misioni amerikan atje.
“Nëse qëllimi ka qenë të rindërtojmë dhe ta lëmë mbrapa një shtet që mund të qëndrojë i vetëm dhe të përbëjë pak kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA-së, atëherë pamja është e zymtë”, ka thënë Inspektori i Posaçëm, John Sopko.
Zyra që ai drejton ka thënë se raporti është bazuar në 13 vjet të vëzhgimit të situatës, duke përfshirë qindra intervista me zyrtarë dhe ish-zyrtarë qeveritarë të SHBA-së, kontraktorë dhe ekspertë të ndryshëm.
Aty janë identifikuar një mori dështimesh të përfshirjes amerikane në Afganistan, duke përfshirë mungesën e strategjisë koherente.
SHIKONI EDHE: Talibanët: Të drejtat e grave do të respektohen sipas ligjit islamikNë mesin e mësimeve tjera, raporti ka gjetur se Qeveria amerikane “nuk ka kuptuar kontekstin afgan” duke përfshirë shoqërinë, kulturën dhe politikën.
I pyetur rreth raportit, Këshilltari për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan, ka thënë se vendimet janë marrë për shumë vjet.
“Pavarësisht qindra miliarda dollarëve të shpenzuar, numrit të madh të forcave trajnuese, kapaciteteve të ofruara dhe këshillimit e asistimit, forcat afgane nuk kanë qenë të përgatitura që të qëndrojnë dhe të luftojnë për shtetin e tyre” ka thënë ai në një konferencë për media.
SHIKONI EDHE: Kush është Mullah Baradar – fytyra më publike e talibanëveBashkëthemeluesi i talibanëve është kthyer në Afganistan më 17 gusht. Mullah Abdul Ghani Baradar ka arritur në Kandahar – vendin ku është krijuar grupi – nga Katari, ku ka kaluar muaj duke udhëhequr bisedimet me negociatorë për paqe nga Shtetet e Bashkuara dhe më pas Afganistani.
Talibanët kanë pretenduar fitore më 15 gusht, pasi kanë marrë kontrollin e kryeqytetit, Kabulit, pas gati 20 vjetëve të dhënies fund të prezencës ushtarake të forcave të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara.
Qeveria ka rënë dhe presidenti Ashraf Ghani ka ikur nga shteti.
Ende nuk dihet vendndodhja e tij.
SHIKONI EDHE: Biden: I qëndroj vendimit për tërheqje nga AfganistaniPresidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden ka mbrojtur vendimin e tij për tërheqje nga Afganistani duke thënë se “misioni asnjëherë nuk ka pasur për qëllim shtet-ndërtimin”.
"Jam shumë i trishtuar me faktet me të cilat përballemi tani, por nuk më vjen keq për vendimin tim për t'i dhënë fund luftës në Afganistan", tha Biden në një fjalim drejtuar kombit më 16 gusht.
Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar talibanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.
Talibanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet e 11 shtatorit të po atij viti në Shtetet e Bashkuara.
Presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë se tërheqja amerikane tani është e arsyeshme, pasi forcat amerikane janë siguruar që Afganistani nuk do të bëhet më bazë për xhihadistë të huaj që të kryejnë komplote kundër Perëndimit.