Fiks për mbretër: Udhëheqësit autoritarë dhe pallatet e tyre pompoze

Ilustrim.

Çfarë kanë të përbashkët Rezidenca Mezhyhirya e Ukrainës, Pallati Oguzhan i Turkmenistanit dhe Kompleksi Presidencial i Turqisë?

Të gjitha u ndërtuan me shpenzime enorme, duke e ekspozuar gjërat luksoze dhe të rehatshme dhe hapësirat e shumta -- monumente të kamjes dhe fuqisë së sundimit autoritar.

Ja një vështrim në disa prej rezidencave presidenciale më madhështore në botë, ku pasuria takohet me fuqinë politike.

UKRAINË, Novi Petrivtsi: Rezidenca Mezhyhirya

Mezhyhirya ishte rezidenca e Viktor Yanukovychit gjatë kohës së tij si kryeministër dhe president i Ukrainës, derisa ai u largua në mes të Revolucionit Maidan të vitit 2014. Tani një "muze i korrupsionit", ai krenohet me një muze makinash, fushë golfi, kopsht zoologjik, shatërvanë, platformë helikopterësh dhe madje edhe një kishë -- që tregon stilin e jetesës luksoze të ish-udhëheqësit.

EMIRATET E BASHKUARA ARABE, Abu Dabi: Qasr Al-Watan

Qasr Al-Watan, pallati presidencial i Emirateve të Bashkuara Arabe, u përfundua në vitin 2017 dhe u hap për publikun në vitin 2019. I ndërtuar me një kosto prej 490 milionë dollarësh, ky pallat kryesisht i bardhë strehon artefakte dhe dorëshkrime historike, ndërsa shfaq edhe dhurata diplomatike të marra nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

TURQI, Ankara: Kompleksi Presidencial

Pallati Presidencial në Ankara, i njohur gjithashtu si Ak Saray (Pallati i Bardhë), u përfundua në vitin 2014 për presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan. I ndërtuar në tokë dikur pyjore, ai mburret për mbi 1100 dhomat dhe zyrtarisht kushton rreth 615 milionë dollarë, megjithëse kritikët thonë se çmimi i vërtetë ishte shumë më i lartë. Kompleksi përfshin një xhami me kapacitet për një xhemat prej rreth 3.000 vetash dhe bibliotekën më të madhe të Turqisë, me një koleksion prej më shumë se 4 milionë librash.

RUSI, Gelendzhik: Pallati i "Putinit"

Ky kompleks pallatesh në bregun e Detit të Zi pranë Gelendzhikut thuhet se është Rezidenca e Vladimir Putinit, teksa spekulimet për ekzistencën e tij datojnë që nga viti 2010. Në vitin 2021, lideri i opozitës ruse, Aleksei Navalny, publikoi një dokumentar hulumtues i cili pretendonte se pallati ishte ndërtuar për presidentin rus me një kosto prej rreth 1.4 miliard dollarësh.

Sipas hetimit, kompleksi përmban një stadium nëntokësor hokeji, një teatër, një vreshtë dhe një kishë. Kompleksi, gjithashtu, ka një zonë ndalim-fluturimi dhe anijet që kalojnë andej, duhet të mbajnë dictancën e caktuar nga pallati. Putini e ka mohuar pronësinë, ndërsa oligarku rus, Arkady Rotenberg, pretendon se pallati është i tij.

RUSIA, Rajoni i Moskës: Novo-Ogaryovo

Novo-Ogaryovo është Rezidenca shtetërore e presidentit rus, Vladimir Putin, që ndodhet jashtë Moskës. E ndërtuar për herë të parë në vitet 1950, pasuria iu nënshtrua rinovimeve të shumta nën drejtimin e Putinit pas vitit 2000. Sipas disa raporteve, kompleksit i janë shtuar zona kohët e fundit, duke përfshirë një strukturë rekreative që i përket Shërbimit Federal të Mbrojtjes së Rusisë (FSO), heliport, madje edhe sisteme të mbrojtjes ajrore. Mund të ketë gjithashtu një tunel që të çon nga objekti i FSO-së në Rezidencën e Putinit.

Taxhikistan, Dushanbe: Pallati i Kombit

Pallati i Kombit, i përfunduar në vitin 2008, është Rezidenca zyrtare e presidentit të Taxhikistanit, Emomali Rahmon. Për të krijuar hapësirë për pallatin, një sinagogë 100-vjeçare dhe ndërtesa të tjera në lagje u shkatërruan në mënyrë të diskutueshme. I ndërtuar për 300 milionë dollarë, pallati është i rrethuar nga parqe, shatërvanë dhe monumente të tjera të rëndësishme, duke përfshirë Monumentin e Pavarësisë dhe Shtizën e Flamurit të Dushanbe, që ngrihet në një lartësi prej 165 metrash dhe dikur ishte më e larta në botë.

Turkmenistan, Ashgabat: Pallati Presidencial Oguzhan

Kompleksi Oguzhan është rezidenca zyrtare dhe vendi i punës i presidentit turkmen, Serdar Berdymukhammedov. I emërtuar sipas një lideri fisesh të lashtë turkmen, ai ka qenë shtëpi e presidentëve të vendit që nga vitet 1990. Në vitin 2011, një pallat i ri dhe objekte shtesë u shtuan me një kosto prej rreth 350 milionë dollarësh. Një shtëpi pritjeje shtetërore dhe një shesh për parada dhe ngjarje të tjera shtetërore, aktualisht, janë duke u ndërtuar në pjesën e parme të pallatit.

Përgatiti: Syzanë Paçarizi