Të paktën 274 palestinezë janë vrarë dhe qindra tjerë janë plagosur si pasojë e bastisjeve izraelite që kanë rezultuar me lirimin e katër pengjeve të kidnapuara prej Hamasit, kanë thënë autoritetet shëndetësore palestineze.
Hamasi, grup që udhëheq Gazën, është i shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
Ushtria izraelite ka thënë se forcat e saj kanë pasur përleshje të ashpra gjatë operacionit kompleks në Gazë.
Vrasja e një numri të konsiderueshëm të palestinezëve, përfshirë gra dhe fëmijë, në një operacion që izraelitët e kanë konsideruar si sukses të madh, për shkak të nxjerrjes gjallë të pengjeve, ka shpërfaqur koston e lartë të operacioneve të tilla, sidomos kur lufta Izrael-Hamas ka mbushur tetë muaj.
Konflikti ka nisur më 7 tetor 2023, pasi militantët e Hamasit kanë sulmuar disa vendbanime izraelite, duke lënë të vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke marrë peng 240 të tjerë.
Izraeli më pas ka nisur ofensivën në Gazë, me qëllim të shkatërrimit të grupit.
Si pasojë e ofensivës izraelite janë vrarë mbi 36.000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.
SHIKONI EDHE: OKB do të shtojë Izraelin dhe Hamasin në listën e shkelësve të të drejtave të fëmijëveDhjetëra pengje besohet se po mbahen në zona të dendura me banorë, apo brenda tuneleve nëntokësore të Hamasit, duke i bërë operacionet ushtarake shumë komplekse dhe të rrezikshme.
Një bastisje e ngjashme në shkurt, që ka rezultuar me lirim të dy pengjeve, i ka lënë 74 palestinezë të vdekur.
Presidenti izraelit, Benjamin Netanyahu i ka vizituar të shtunën në spital pengjet e liruara, por megjithatë, popullariteti i tij ka rënë, dhe shumë izraelitë po vazhdojnë të mblidhen në protestat kundër Qeverisë, me thirrje për armëpushim, çka do të mundësonte kthimin e pengjeve në shtëpi.
Izraeli po përballet me presion gjithnjë e më të madh për të parandaluar vdekjet e civilëve në luftën në Gazë.
Palestinezët po përballen edhe me uri dhe mungesë strehimi, si pasojë e luftës, e cila ka pamundësuar hyrjen e ndihmave në Gazë.